Transportuesit privatë janë duke protestuar para Komunës së Prishtinës, pasi që kanë marrë vendim që të pezullojnë të gjitha linjat në Prishtinë, për shkak të mospagesës nga Komuna e Prishtinës.
Protestës pritet t’i bashkohen edhe punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” të cilës gjithashtu e kanë pezulluar punën.
Javën që shkoj edhe transportuesit privatë e edhe “Trafiku Urban” kanë njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik do të pezullohen plotësisht nga e hëna (sot), për shkaqe financiare.
Problemet me pagesat e shërbimeve në Komunën e Prishtinës janë pasojë e mosmiratimit të buxhetit të komunës së Prishtinës për vitin 2025.
Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të dielën ka njoftuar se “Trafiku Urban” nga e hëna (sot) do të ndërpresë shërbimet e transportit.
Në anën tjetër ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Thesari të premten ia ka alokuar Komunës së Prishtinës mjetet për dhjetor. /Koha