Pezullimi i dialogut strategjik, analistët Vogel e Visoka: Sinjal i distancimit të SHBA'së nga Kurti, duhet të merret seriozisht - Gazeta Express
string(124) "pezullimi-i-dialogut-strategjik-analistet-vogel-e-visoka-sinjal-i-distancimit-te-shbase-nga-kurti-duhet-te-merret-seriozisht"

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 20:05

Pezullimi i dialogut strategjik, analistët Vogel e Visoka: Sinjal i distancimit të SHBA’së nga Kurti, duhet të merret seriozisht

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 20:05

Distancim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe paralajmërim për Qeverinë e tij se mbështetja ndërkombëtare po zbehet.

Kështu e shohin pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, dhe Gëzim Visoka, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Dublinit, në departamentin për studime të paqes dhe konfliktit.

Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.

Ajo e ka arsyetuar këtë vendim me shqetësimin për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat, siç thuhet, “rrisin tensionet dhe destabilitetin”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha Ambasada, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kosova dhe SHBA-ja kishin planifikuar që këtë vit ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur liderët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) po i kritikojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur gjykatën më të lartë të vendit “hije politike e opozitës ndaj LVV-së”.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës në detyrë i ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së, duke vlerësuar se veprimet e saj kanë qenë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, “në funksion të eliminimit të burimeve të paqëndrueshmërisë me qëllim të garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm afatgjatë”.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e SHBA-së që ta pezullojë përkohësisht dialogun strategjik.

Vogel: Ndërprerja e dialogut strategjik, shenjë se SHBA-ja do të distancohet nga Kurti

Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se me mënyrën se si e ndërprenë dialogun për çështje strategjike, Shtetet e Bashkuara dërgojnë sinjal se “duan të krijojnë një distancë me Kurtin”.

Ai shton se vendimi erdhi gjithashtu në një moment të ndjeshëm, kur Albin Kurti po përpiqet të formojë një qeveri të re të Kosovës, dhe se kjo nuk është rastësi.

“Shtetet e Bashkuara, e sidomos administrata e parë e [presidentit Donald] Trump, kanë një histori me Albin Kurtin dhe një histori të përfshirjes në politikën kosovare. Dikur mjaftonte që presidenti amerikan ose kancelarja gjermane, kur ajo ishte Angela Merkel, të ngrinin receptorin, të telefononin dikë si Hashim Thaçi dhe t’i thoshin çfarë të bënte — dhe ai e bënte. Kjo nuk funksionon me Albin Kurtin. Nëse mendoni se kjo është mirë apo keq, është e parëndësishme; fakti është se Kurti nuk është i tillë. Dhe, pikërisht për këtë arsye nuk e duan as në Uashington e as në Bruksel”, thekson Vogel.

Sipas tij, për përkeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në ose BE-në, përgjegjës është vetë Kurti, sepse “nuk i ka kultivuar me kujdes këto marrëdhënie”.

Por, njëkohësisht, kjo ndodh edhe për shkak të pakënaqësisë së qendrave të vendimmarrjes, pasi “nuk mund ta urdhërojnë më kryeministrin ose presidentin në Prishtinë se çfarë të bëjnë”.

“Besoj se gjithçka duhet parë në këtë kontekst, a do të ketë kjo efektin e dëshiruar, pra a do të arrijë të bashkojë opozitën për të krijuar një qeveri alternative. Sinqerisht, mendoj se ata nuk i kanë numrat. Kështu që nuk jam i sigurt se çfarë synohet me këtë”, thotë Vogel, duke shprehur dyshime se Uashingtoni shpreson për zgjedhje të parakohshme.

“Sinqerisht, kjo do të më dukej si një nga zgjidhjet më ‘të pastra’, sepse është e qartë se kushdo që arrin të formojë qeverinë tani nuk do të ketë një mandat të fortë. Është mirë të jesh partia më e madhe, por kjo nuk mjafton. Nevojiten aleatë, nevojiten partnerë koalicioni. Prandaj, mendoj se gjithçka duhet parë në këtë kuadër”, përfundon ai.

Visoka: Ndërprerjen e dialogut strategjik duhet ta marrim seriozisht

Gëzim Visoka, profesor i studimeve për paqe dhe konflikte në Fakultetin Juridik të Universitetit të Dublinit, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën është “edhe një shenjë paralajmëruese për Qeverinë e Kosovës se mbështetja ndërkombëtare për vendin po zbehet”.

“Kjo duhet të merret seriozisht, por nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve bilaterale. Po ashtu, është me rëndësi thelbësore të theksohet se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një dialog strategjik të formalizuar me Shtetet e Bashkuara, ndonëse e ka kërkuar këtë për vite me radhë. Edhe kur marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, SHBA-ja ka shmangur formalizimin e një partneriteti strategjik me Kosovën, duke synuar të mos antagonizojë Serbinë dhe të mbajë një ekuilibër në rajon”, thekson Visoka.

Ai shton se në të kaluarën ka pasur elementë të dialogut strategjik rreth sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare, por se “dinamika e dialogut nën drejtimin e BE-së dhe përpjekjet e Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri të vendit e kanë diktuar këtë proces, i cili tani duket se funksionon vetëm në fushën e sigurisë”.

Vendimi i SHBA-së për të ndërprerë dialogun strategjik vjen gjithashtu në kohën e një krize institucionale dhe politike në Kosovë.

Aktualisht pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar nëse Kuvendi i Kosovës është konstituuar, pasi partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar këtij institucioni me kërkesën që të vlerësojë nëse kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka shkelur Kushtetutën duke ndarë procesin e votimit për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë dhe nga komuniteti serb.

Basha, ndërkaq, e shpalli njëanshëm përfundimin e konstituimit të Kuvendit, edhe pse nuk ishte zgjedhur nënkryetari i pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më 10 shtator, Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që kërkesa e Listës Serbe të shpallej e papranueshme.

Edhe presidentja Osmani ka vlerësuar se Kuvendi nuk duhet të bllokohet për këtë çështje dhe ka shprehur pritjen që Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendim në favor të Listës Serbe, pra të konfirmojë se Kuvendi është konstituuar edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë nga komuniteti serb.

Ndërkohë, më 7 shtator Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar liderin e saj, Albin Kurtin, për mandatar të përbërjes së Qeverisë së re. Me atë rast, Kurti ka shprehur kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar për anshmëri, përkatësisht për veprim në favor të partive shqiptare që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Vendet perëndimore dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar këtë qëndrim të Kurtit.