Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot kanë bërë të ditur se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Deputeti në postimin e tij ka thënë ndër tjerash se nëse Kosova dështon ta ruajë seriozitetin e dialogut, dëmtohet jo vetëm imazhi ynë ndërkombëtar, por edhe vetë besueshmëria tek aleati kryesor, shkruan Gazeta Express.
Gashi po ashtu ka theksuar se disa nga pasojat e kësaj mund të jenë si humbja e besimit politik; Dobësim i sigurisë; Izolim ekonomik, dhe; Pengim në integrimin euroatlantik.
Postimi:
Postimi:
Çka ështe dialogu strategjik Kosovë-SHBA?
Dialogu Strategjik Kosovë–ShBA është një format i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai nuk është një takim rutinë diplomatik, por një platformë gjithëpërfshirëse, ku përcaktohen prioritetet afatgjata të partneritetit tonë me aleatin kryesor. Përmes këtij dialogu, Kosova ka mundësinë të bashkëpunojë me ShBA në fusha jetike: siguri dhe mbrojtje, ekonomi dhe investime, energji të gjelbër, sundim të ligjit, demokraci dhe integrim euroatlantik.
Por kjo mundësi nuk është vetëm privilegj, është edhe test. Nëse Kosova dështon ta ruajë seriozitetin e dialogut, dëmtohet jo vetëm imazhi ynë ndërkombëtar, por edhe vetë besueshmëria tek aleati kryesor.
Dëmet nga lëkundja e ShBA-së në këtë proces mund të jenë të mëdha:
• Humbja e besimit politik – ShBA është garancia më e madhe e shtetit të Kosovës; dobësimi i këtij besimi do ta linte Kosovën më të brishtë në skenën ndërkombëtare.
• Dobësim i sigurisë – çdo distancim amerikan zbeh rolin e KFOR-it dhe mbështetjen për FSK-në.
• Izolim ekonomik – investitorët amerikanë ndjekin nga afër orientimin e politikës amerikane; mungesa e besimit e mbyll derën për projekte madhore në energji, digjitalizim e financa.
• Pengim në integrimin euroatlantik – pa mbështetjen e ShBA-së, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së bëhet shumë më e vështirë.
• Rrezik reputacional – humbja e përkrahjes amerikane dëmton jo vetëm Kosovën si shtet, por edhe pozitën e popullit të saj në arenën ndërkombëtare.