Petkoviq kushtëzon dialogun me lirimin e Popoviqit - Gazeta Express
string(50) "petkoviq-kushtezon-dialogun-me-lirimin-e-popoviqit"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 10:07

Petkoviq kushtëzon dialogun me lirimin e Popoviqit

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 10:07

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka njoftuar se sot do të takohet me përfaqësues të vendeve të KUINT-it, bashkë me ambasadorin serb në SHBA, Marko Gjuriq, për të shprehur shqetësimet lidhur me arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësit të tij.

Petkoviq ka vënë edhe kushte. Ai ka deklaruar se “nuk do të ketë vazhdim të dialogut” përderisa Popoviq vazhdon të mbahet në paraburgim. Sipas tij, përfaqësuesit ndërkombëtarë do të përgjigjen se nuk ndërhyjnë në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe se rasti është çështje e sundimit të ligjit.

“Duken sikur janë naivë, por në realitet mbështesin agjenda që janë kundër interesave tona. Ne duhet të kujdesemi për veten. BE-ja, edhe pse formalisht është neutrale në aspektin e statusit të Kosovës, nuk ka hequr dorë nga mbështetja për pavarësinë e saj,” tha Petkoviq.

I pyetur nëse pret mirëkuptim nga KUINT-i, ai u përgjigj se deklaratat e tyre do të jenë të zakonshmet – që po e ndjekin rastin, që presin respektim të procedurave dhe që kërkojnë konstruktivitet nga të dy palët.

Petkoviq paralajmëroi se Beogradi do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm dhe se qëndrimi i tyre do të jetë gjithnjë më i qartë. Ai shtoi se është në kontakt të përditshëm me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe se janë bërë përpjekje të shumta për lirimin e Popoviqit.

“Çdo ditë ka letra, biseda telefonike dhe takime me përfaqësues të huaj. Edhe gjatë një bisede me Peter Sorensenin kam përsëritur se nuk mund të ketë dialog pa lirimin e Popoviqit, pasi arrestimi i tij është sulm ndaj procesit të dialogut”, deklaroi Petkoviq.

Duke komentuar mungesën e reagimit nga BE-ja dhe SHBA-të, Petkoviq tha se presioni gjithmonë ushtrohet mbi Beogradin, por se Serbia do të vazhdojë të insistojë në qëndrimet e saj.

“Shumëkush dëshiron që të shkojmë drejt njohjes së Kosovës. Por kjo nuk do të ndodhë,” përfundoi ai.