Peskov: Vuçiq ishte në Moskë, foli me Putinin në Moskë rreth akuzave për shitje armësh Ukrainës - Gazeta Express
string(93) "peskov-vuciq-ishte-ne-moske-foli-me-putinin-ne-moske-rreth-akuzave-per-shitje-armesh-ukraines"

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 9:08

Peskov: Vuçiq ishte në Moskë, foli me Putinin në Moskë rreth akuzave për shitje armësh Ukrainës

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 9:08

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai serb Aleksandar Vuçiq diskutuan për dërgesat e dyshuara të armëve serbe drejt Ukrainës gjatë një takimi në Moskë në Ditën e Fitores, ka konfirmuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë ruse RIA Novosti, transmeton Vijesti.ba.

Sipas Peskovit, tema e eksportit të mundshëm të armëve u ngrit gjatë bisedës mes dy liderëve, pas akuzave të përsëritura nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), i cili pretendon se Serbia, përmes rrugëve të tërthorta, ka dërguar pajisje ushtarake që kanë përfunduar në duart e forcave ukrainase.

“Industria ushtarake serbe është në dijeni të konsumatorëve të vërtetë të produkteve të saj”, thuhej në deklaratën e fundit të SVR-së, duke shtuar se këto armë “janë përdorur për të vrarë ushtarë rusë dhe civilë në qytetet ruse”.

Edhe pse këto akuza kanë tensionuar raportet, Vuçiq vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën. Ai mori pjesë personalisht në kremtimin e Ditës së Fitores, në një gjest simbolik solidariteti me Putinin, në një kohë kur shumica e liderëve evropianë shmangin çdo kontakt zyrtar me Kremlinin për shkak të luftës në Ukrainë.

Vuçiq, nga ana tjetër, nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj akuzave të SVR-së, por pas një takimi me udhëheqjen ushtarake të vendit të tij, deklaroi se Serbia ka pezulluar të gjitha shitjet e armëve – një vendim që duket më shumë si përpjekje për të ruajtur balancën mes Perëndimit dhe aleatit të vjetër rus.

Ndërkohë, Peskov theksoi se nuk janë planifikuar takime të reja mes Putinit dhe Vuçiqit për momentin, por vetë fakti që ata vazhdojnë të komunikojnë drejtpërdrejt për çështje të ndjeshme si kjo, tregon për vazhdimësinë e një afërsie strategjike mes Beogradit dhe Moskës, pavarësisht luftës së përgjakshme në Ukrainë.

Ky zhvillim rikthen vëmendjen mbi pozicionin ambivalent të Serbisë – një vend që synon integrimin evropian, por që ende ruan lidhje të forta me Rusinë, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë ushtarak.