Peshqiri i Kobe Bryant në ankand, shuma e majme që pagoi tifozi koleksionist - Gazeta Express

Peshqiri i Kobe Bryant në ankand, shuma e majme që pagoi tifozi koleksionist

Sport

Gazeta Express

30/03/2020 20:37

Peshqiri që mbante mbi supe Kobe Bryant gjatë fjalimit të tij të lamtumirës ,pas ndeshjes së tij të fundit në NBA, u shit për mbi 33 000 dollarë në një ankand në internet.

Kur “ylli” i Lakers e përfundoi fjalimin e tij, në “Staples Center” të Los Angelesit, në momentin që po dilte nga parketi, një tifoz i tërhoqi peshqirin për ta patur si kujtim. Në fakt, ky “suvenir” është shitur disa herë.

Oferta fituese për atë  peshqir, së bashku me dy bileta nga ai takim i 13 prillit 2016,  ishte saktësisht 33 077 16 dollarë. Kobe Bryant shënoi atë natë 60 pikë në fitoren 101-96 të Lakers ndaj Utah Jazz.

Jeff Woolf, presidenti i ankandeve Iconic, i tha CNN se blerësi njihet si koleksionisti më i madh i suvenirëve të Lakers në të gjithë botën.

“Ai është një tifoz i përkushtuar i Lakers,” – tha Woolf. – “Plani i tij afatgjatë është të krijojë një muze në Kaliforninë Jugore.”

Woolf vuri në dukje se i njëjti ofertues, më parë, harxhoi 30 000 dollarë për një libër nga shkolla e mesme e Bryant.

Bryant, 41 vjeç, vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, dhe shtatë persona të tjerë humbën jetën pasi rrëzimit të helikopterit me të cilin udhëtonin më 26 janar, në Calabasas të Kalifornisë.

Bryant kaloi 20 sezone me Lakers dhe fitoi pesë kampionate në NBA. Ai ishte lojtari më i mirë i NBA në 2007-08, është zgjedhur 15 herë në formacionin më të mirë të NBA, ka luajur në 18 ndeshje “All Star”. Ka fituar dy herë çmimin e lojtarit më të mirë në finalet e NBA dhe plot katër herë është shpallur lojtari më i mirë i “All Star”.