“Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm” e Blerta Hoçisë - Gazeta Express
string(55) "peshperima-nen-marshimin-e-pameshirshem-e-blerta-hocise"

Arte

Gazeta Express

26/11/2025 15:21

“Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm” e Blerta Hoçisë

Arte

Gazeta Express

26/11/2025 15:21

Më 28 nëntor në ‘Bazament Art Space’, hapet ekspozita e Blerta Hoçia, titulluar “Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm”, kuruar nga Elian Stefa.

Me ekspozitën “Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm”, Blerta Hoçia sjell bashkë tre video të reja dhe një ndërhyrje në hapësirën publike të lagjes së saj të fëmijërisë. Punimet pasqyrojnë nuancat se si njerëz dhe territore përballen me forcën e pandalshme të progresit, si dhe të transformimit politik tranzitor. Një lumë përcjell jehonat e largëta të një fjalimi elektoral, ndërsa duart e një gruaje kryejnë punë në distancë në një përsëritje të heshtur. Përmes këtyre gjesteve dhe tingujve, Hoçia kërkon deformimin e intimitetit dhe të identitetit të një vendi nën trysninë e sistemeve aktuale të progresit.

State of Condition (2025) është një film rreth 14-minutësh që transporton natyrshëm audiencën në peisazhin sonor tipik të lagjeve të Tiranës, ku mendimet dhe shqetësimet private ndahen me zë të ulët në xhepa të improvizuara për biseda dhe kafe. Copëza kinematografike metaforash vizuale pikturojnë një peisazh të shtresëzuar me momente dhe kujtime; dhe ndërsa ritmi përshpejtohet për të reflektuar pushtimin e çrregullt të qytetit bashkëkohor mbi këto lidhje të brishta fqinjësore, ashtu rikthehet edhe përfitimi personal për të dominuar mbi nevojat e komunitetit dhe mbi vet nevojën për komunitet.

Solidariteti (2025) merr titullin nga organizata e parë sindikaliste e “call center”-ave në Shqipëri. Duke iu referuar një nga industrive më të madha në vend ku afërsisht 90% e punëtorëve janë të rinj. Vepra eksploron një panoramë socio-ekonomike të rëndësishme në një dimension shumë privat, e cila elaboron çështjet e survejimit dhe alienimit. I filmuar gjatë ditëve të para të COVID-it, filmi prek efektet disonante të monitorimit të detyruar nga puna në distancë, kur ai i mbivendoset hapësirës private dhe të ngrohtë që shtëpia duhet të ofrojë.

Flux Fragments (2025) risjell një peisazh të definuar nga lumi, përsëri pranë brigjeve të një urbaniteti që e ka mohuar atë. Me rrjedhën në fokus, dhe me një mbivendosje zanore të zhurmës politike në hapësirën publike (qoftë në formën e mitingjeve partiake, apo protestave dhe urrejtjes ndaj sistemit), kjo zhurmë shurdhuese shndërrohet në një kumbim të vazhdueshëm, ndërsa gjithçka mbetet përfundimisht njësoj në cikle të pashmangshme korrupsioni dhe premtimesh elektorale të thyera.

Fotografitë e kornizuara që shoqërojnë imazhet filmike janë dokumentimi i një shkëndijeje rezistence, ose më saktë i një përpjekjeje për të rifituar këto hapësira publike si “të përbashkëta” përmes ekspozimit të pasurisë së hapësirave që janë ende të pranishme pas mureve të banesave private në lagjen e parë të Hoçias. Hapesira që disa mund t’i konsiderojnë si trashëgimi jomateriale e qytetit të Tiranës, trashëgimi e cila u është vjedhur pa leje. Ekspozita kërkon këto murmuritje të zbehta nën ritmin e përshpejtuar të ndryshimit, ku prania njerëzore mbijeton si dëshmi por dhe si mbetje e marshimit të pamëshirshëm që bota kërkon.