Pesë zyrtarë të burgjeve dhe një punonjëse shëndetësore të prekur me COVID-19 - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

07/04/2020 12:55

Pesë zyrtarë të burgjeve dhe një punonjëse shëndetësore të prekur me COVID-19

Lajme

Gazeta Express

07/04/2020 12:55

Pesë zyrtarë korrektues dhe një punonjëse shëndetësore e Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, janë infektuar me koronavirus. Këto raste janë konfirmuar më 31 mars, raporton Gazeta Express.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, me koronavirus nuk është i prekur asnjë i burgosur, ndërsa të prekur janë 5 zyrtarë korrektues dhe 1 punonjës shëndetësor, të njëjtit janë punonjës të  Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë”, thuhet në përgjigjën e SHKK-së.

Gashi ka thënë se nga 13 marsi deri më 6 prill, nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit janë pranuar gjithsej 67 persona të cilët janë dërguar menjëherë në karantinë për 14 ditë.

“Vlen të theksohet se, bazuar në planin operativ “Corona Virus” , me qellim të parandalimit të përhapjes së Covid 19, çdo person i ri, i pranuar në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, fillimisht i nënshtrohet kontrollit mjekësor, pastaj fazës katërmbëdhjetë ditore të karantimit për të vazhduar me vendosjen e rregullt”, ka thënë Gashi për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 20 raste të reja me koronavirus. Me këto shifra, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 165. Deri tani, nga koronavirusi janë shëruar 24 persona.

“Sot më 06.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 129 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, njëzet (20) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP-së, rastet pozitive janë raste kontakti nga Malisheva, Suhareka, Drenasi dhe Prishtina.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë – Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, ka njoftuar IKSHP-ja.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. /Gazeta Express