Sot janë bërë pesë vjet që prej kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë pasi ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në këtë pesëvjetor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkroi për këtë duke e nisur me Rexhep Selimin dhe duke bashkëngjitur një letër që ai ia kishte dërguar kryetares së Dhomave të Specializuara më 2022.
Kurti e lidhi këtë ngjarje edhe me nëntëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët””.
Kurti tha se s’ka arsye as ligjore as morale që ata të mbahen në paraburgim.
“Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”.
“Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje”.
Kurti tha se kërkesat e tyre qëndrojnë akoma dhe se “në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”.
Sot, FiveStar Fitness ngjitet në skenën e CineStar për një mbrëmje që premton emocion, motivim dhe shumë dhurata për...