string(85) "pese-shteteve-te-shba-se-u-mbeten-nen-10-per-qind-shtreter-te-lire-ne-kujdes-intensiv"

Lajme

Gazeta Express

31/08/2021 11:18

Pesë shteteve të ShBA-së u mbeten nën 10 për qind shtretër të lirë në kujdes intensiv

Lajme

Gazeta Express

31/08/2021 11:18

Përderisa numri i rasteve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara po rritet, sidomos në mesin e amerikanëve që nuk janë vaksinuar, spitalet po përballen me shtim të numrit të pacientëve. Pesë shtete të ShBA-së kanë mbetur me pak shtretër të lirë në repartet e kujdesit intensiv.

Alabama, Georgia, Teksasi, Florida dhe Arkansasi kanë më pak se 10 për qind të shtretërve të lirë në repartet e kujdesit intensiv, sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.

Në Georgia, shefi ekzekutiv i spitalit “Georgia Health Systems” tha se të hënën në mëngjes kanë pasur 287 pacientë me Covid-19, që është numri më i madh që spitali ka pasur që nga janari, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Pra, në thelb, spitalet tona janë të mbushura. Po shikojmë që të shtojmë hapësira në korridore, salla konferencash dhe në zonat e pritjes. Dhomat tona emergjente dhe qendrat e kujdesit urgjent po shohin vëllim më të madh sesa që kanë parë gjatë tërë pandemisë”, tha Carol Burrell.

Spitalet në mbarë Shtetet e Bashkuara po përballen me rritje të numrit të pacientëve pas përhapjes së variantit Delta, por pjesa jugore, ku procesi i vaksinimit ka mbetur më prapa, po goditet më shumë. Shumë spitale kanë raportuar për mungesë të oksigjenit.

Efekti i shkallës së ulët të vaksinimit mund të vërehet në Kentucky, ku spitalet janë të stërmbushura me numër rekord të pacientëve me Covid-19. 58 nga 96 spitalet e këtij shteti po raportojnë për mungesë kritike të stafit, tha të hënën guvernatori Andy Beshear.