Xhiroja e 21-të e Superligës së Kosovës në futboll pati disa ndeshje dhe rezultate interesante.
Pati edhe disa ndryshime në tabelë, si në krye, ashtu edhe në fund të saj.
Drita e mori kreun e tabelës, pas fitores ndaj Llapit, teksa Ballkani u mposht nga Ferizaj, andaj ra në pozitën e dytë. Prishtina mbeti e treta, pasi u mposht nga Gjilani si mysafire.
Prishtina e Re, po ashtu në udhëtim, fitoi ndaj Drenicës, duke ia marrë pozitën e nëntë në tabelë, e duke iu afruar pozitës së barazhit.
Megjithatë, ndonëse pati rezultate të ndryshme në këto ndeshje, ajo që ishte e përbashkët dhe e njëjtë, ishte lloji i fushës ku u luajtën këto përballje.
Në pesë ndeshjet e Superligës të kësaj xhiroje, përballjet u luajtën në fushë me bari sintetik.
Për këtë u ankua edhe eksperti i referimit, Hajriz Hajdari me një postim në “Facebook”.
Ai ka thënë se këto fusha janë të rrezikshme për futbollistët, teksa ka thënë që ka ardhur koha që futbolli të kthehet në nivel.
“Albi Mall – Superliga 100% sintetike e Kosovës
Një fushë, tri ndeshje, futbollistët rrezikojnë, tifozët ankohen…
A po luajmë apo po stërvitemi? Është koha që fushat të jenë reale dhe futbolli të kthehet në nivel!
Ky është rezultati i menaxhimit të futbollit, 26 vjet pas luftës”, ka shkruar ai.
Ndeshja Malisheva – Dukagjini e Drenica – Prishtina e Re janë luajtur në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.
Ndeshja Ferizaj – Ballkani në “Stadiumin ndihmës” në Ferizaj.
Në “Stadiumin Ndihmës” u zhvillua edhe ndeshja në Gjilan, mes Gjilanit dhe Prishtinës.
Teksa, ndeshja Llapi e Drita u zhvillua në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqytet./GazetaExpress/