Manchester United i ka lejuar pesë lojtarë të paraqiten më vonë në stërvitjet parasezonale, për t’u fokusuar në përfundimin e transferimeve të tyre gjatë kësaj vere.
Klubi ka zyrtarizuar afrimin e Matheus Cunha, pasi aktivizoi klauzolën e lirimit në kontratën e tij me Wolves.
Megjithatë, merkatoja mbetet aktive për “Djajtë e Kuq”, me trajnerin Ruben Amorim të interesuar për transferimin e Bryan Mbeumo të Brentfordit dhe një tjetër futbollist të kombëtares angleze.
Amorim po planifikon gjithashtu të largojë disa lojtarë për të balancuar financat e klubit, dhe disa emra të njohur janë të lidhur me një largim të mundshëm nga “Old Trafford”.
Marcus Rashford, i cili kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Aston Villa, dhe Alejandro Garnacho, janë në mesin e lojtarëve që mund të largohen.
Gjithashtu përmenden edhe Jadon Sancho, Antony dhe Tyrell Malacia.
Sipas gazetarit Nathan Salt, këtyre pesë lojtarëve – Rashford, Garnacho, Sancho, Antony dhe Malacia – u është komunikuar që të paraqiten në stërvitje më vonë gjatë korrikut, për të pasur mundësi të finalizojnë largimin nga klubi.
Sipas Chris Wheeler, nëse ata nuk arrijnë të realizojnë një transferim, do të mirëpriten sërish në skuadër dhe do të kenë akses në ambientet dhe shërbimet e rehabilitimit të klubit, edhe gjatë mungesës nga qendra stërvitore.
Sancho, Antony dhe Malacia, ashtu si Rashford, kanë qenë në huazim sezonin e kaluar:
Jadon Sancho u huazua te Chelsea, por klubi londinez nuk e aktivizoi opsionin për blerje për 40 milionë paund.
Antony shkëlqeu me Real Betisin në Spanjë, ku shënoi 9 gola në 26 paraqitje.
Alejandro Garnacho u aktivizua në plot 58 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 11 gola, por e ardhmja e tij pritet të jetë larg “Old Trafford”; interesim kanë shfaqur Arsenal, Aston Villa dhe Chelsea.
Tyrell Malacia kaloi në huazim te PSV Eindhoven, duke luajtur 12 ndeshje pas ardhjes në shkurt.
Situata e këtyre pesë lojtarëve mbetet e hapur, ndërsa United kërkon të strukturojë skuadrën për sezonin e ri./GazetaExpress/