Për shumicën e njerëzve që nuk ndihen mirë, përgatitja për atë që do t’i thonë mjekut nuk është prioritet.
Megjithatë, sipas mjekut britanik Dean Eggitt, i cili ka mbi 20 vite përvojë në kujdesin parësor shëndetësor, mënyra se si paraqiten simptomat gjatë konsultës mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e vlerësimit mjekësor.
Sipas tij, pacientët nuk kanë nevojë të mësojnë përmendësh një “fjalim”, por sa më qartë të shpjegojnë problemin dhe kohën kur ai ka nisur, aq më e lehtë bëhet puna e mjekut për të identifikuar shkakun e vërtetë të shqetësimit.
Zgjidhni orarin e duhur
Dr. Eggitt sugjeron që, nëse është e mundur, pacientët të rezervojnë një takim në mes të paradites. Sipas tij, në këtë periudhë mjekët zakonisht janë më të përqendruar dhe më pak të lodhur krahasuar me fundin e ditës.
Ai thekson se, ashtu si çdo profesionist tjetër, edhe mjekët ndikohen nga lodhja, stresi apo ngarkesa e punës, gjë që mund të ndikojë në performancën e tyre gjatë konsultës.
Shkoni të përgatitur
Meqenëse një konsultë mesatare zgjat rreth 10 minuta, është e rëndësishme që pacientët të jenë të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
Mjekët përdorin shpesh metodën “ICE”, që nënkupton:
* Idetë (çfarë mendon pacienti se po ndodh);
* Shqetësimet (çfarë e frikëson ose e shqetëson);
* Pritshmëritë (çfarë shpreson të arrijë nga vizita).
Prandaj, pacientët duhet të shpjegojnë qartë simptomat, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për të ndihmuar mjekun të kuptojë më mirë situatën.
Jepni informacione të sakta
Kur mjeku pyet prej sa kohësh keni simptoma, përpiquni të jepni data ose periudha konkrete. Përgjigje të paqarta si “që kur u ktheva nga pushimet” mund të mos jenë të dobishme për vlerësimin klinik.
Mos u mbështetni vetëm te mendimi i dytë
Në Britani ekziston e ashtuquajtura “Rregulli i Jess”, i cili inkurajon mjekët të rishikojnë një rast nëse pacienti ka kërkuar ndihmë disa herë pa marrë një diagnozë të qartë.
Megjithatë, Dr. Eggitt paralajmëron se kërkesa për një mendim të dytë nuk garanton gjithmonë që ai do të ofrohet, pasi kjo varet nga burimet dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor.
Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë
Përdorimi i platformave të inteligjencës artificiale për të analizuar simptomat është bërë gjithnjë e më i zakonshëm. Sipas mjekut, informacionet e mbledhura nga pacientët mund të jenë të dobishme gjatë konsultës, për sa kohë që ato përdoren si mbështetje dhe jo si zëvendësim i vlerësimit profesional.
Ai shprehet se shumë mjekë e mirëpresin faktin që pacientët vijnë të informuar, pasi kjo ndihmon në kuptimin më të mirë të shqetësimeve të tyre.
Kuptoni kufizimet e sistemit shëndetësor
Eksperti kujton se sistemet publike shëndetësore janë ndërtuar kryesisht për të trajtuar pacientët që kanë simptoma ose probleme konkrete shëndetësore. Për këtë arsye, jo gjithmonë është e mundur të kryhen ekzaminime të shumta parandaluese tek persona që nuk shfaqin asnjë simptomë.
Sipas tij, pacientët duhet të kenë pritshmëri realiste dhe të kuptojnë se kapacitetet e sistemit shëndetësor janë të kufizuara.
Në fund, Dr. Eggitt thekson se komunikimi i qartë, informacionet e sakta dhe bashkëpunimi mes pacientit dhe mjekut janë faktorët më të rëndësishëm për një diagnozë dhe trajtim sa më të suksesshëm. /GazetaExpress/