Përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet, kritikët mosbesues për kriteret - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

27/09/2020 20:09

Përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet, kritikët mosbesues për kriteret

Shqiperi

Gazeta Express

27/09/2020 20:09

Partitë kryesore politike në Shqipëri janë angazhuar në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet politike që pritet të mbahen në pranverë. Ato kanë miratuar disa mekanizma për filtrimin e tyre, pas disa problemeve që u shfaqën me përfshirjen në parlament dhe pushtetin vendor të individëve me të shkuar kriminale, gjë që çoi në hartimin dhe miratimin e ligjit të dekriminalizimit 5 vjet më parë. Por studiuesit janë skeptikë dhe thonë se prurjet e deritanishme kanë qenë vullnet i elitave politike. Pak kohë më parë dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë inkurajoi drejtuesit e partive politike përmes një letre të mbajnë jashtë listave të kandidimit personat e korruptuar dhe me të shkuar kriminale.

Ligji për Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike i njohur si ligji i “dekriminalizimit”, vazhdon të jetë i nevojshëm në politikën shqiptare edhe pse 5 vjet më parë kur u miratua nën presionin e fortë të SHBA dhe BE u mendua se do të ishtë i përkohshëm. Nevoja e tij erdhi pas zgjedhjes deputetë dhe drejtues lokal të disa eksponentëve me të shkuar kriminale. Sot në valën e debateve për hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet që pritet të mbahen në pranverë, partitë kryesore janë angazhuar në miratimin e disa mekanizmave për filtrimin e tyre.

Instituti i Studimeve Politike, në bashkëpunim me ekspertë dhe qytetarë ka kryer një sondazh sipas të cilit mbi 90 për qind e qytetarëve janë kundër përfshirjes së individëve të fortë dhe kriminelëve në politikë. Sipas Drejtorit të këtij instituti kjo tregon se prurjet e deritanishme nuk kanë qenë vullnet i qytetarëve por i elitave politike.

“Nga monitorimi që kemi rezulton që shumica e procedurave janë formale. Partitë ende në mënyrë publike nuk kanë përjashtuar nga radhët e tyre dhe as kanë mënjanuar nga pozitat drejtuese asnjë nga individët të cilët janë jo vetëm të dënuar nga gjykata, me vendim gjykate dhe ata në listën e zezë amerikane, apo njerëz të njohur në publik për skandale të mëdha financiare apo me të shkuar kriminale”, thotë Afrim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

Përfaqësues të PS, e arsyetojnë infiltrimin e disa të zgjedhurve nga rradhët e saj në parlament dhe pushtet lokal me zhvillimet e vrullshme të 30 viteve, ndërsa sqarojnë se aktualisht kanë përfshirë në statut pengesa serioze për ndalimin e personave që kanë patur dënime penale, si dhe përjashtimin e tyre nga partia. Ata thonë se po punojnë për hartimin e fomularit të ri për kandidatët dhe pranojnë se nuk ka filtra perfekt.

“Tek e fundit një parti politike do të bazohet në vetëdeklarimet e kandidatëve, në verifikimin nga anëtarësia, që është burimi kryesor i informacionit dhe filtri kryesor, nga hulumtimet meqë sot është bota e internetit, mekanizmat on line. Këto janë mekanizmat që mund të përdorë një parti politike, sepse për numrin e madh të kandidatëve, është e pamundur për të kryer verifikime zyrtare. Dhe një kategori personash mund të kenë kryer vepra penale apo ndalesa jashtë vendit. Kjo pra e bën të pamundur, që një parti politike të garantojë 100 për qind sukses në këtë aspekt. Përgjegjësia politike dhe ligjore në fund është e individit”, shprehet Alket Hyseni, Kryetar i Komisionit të Garancive Statutore dhe etikës në PS.

E megjithatë kritikët vënë re se PS është distancuar me sforcime e detyruar nga presioni ndërkombëtar nga disa të zgjedhur problematikë, siç ishte rasti i Armando Prengës, Arben Ndokës Elvis Roshit, si dhe vangjush Dakos, të cilit qeveria amerikane i ka ndaluar hyrjen në Amerikë bashkë me familjen, duke përforcuar kështu zërat se zgjedhja e tyre në parlament dhe në pushtetin vendor nuk ishte një aksident.

Ndërkaq edhe PD, në opozitë, ka miratuar një fomular për kanditatët, në zgjedhjet e ardhshme politike, i cili bazohet në një model amerikan, pas ndihmës që ju kërkua ambasadës së SHBA në Tiranë.

“Në këtë formular merren të dhënat me ekzaktësi për çdo individ që nga gjeneralitetet familjare deri në shkollim, në eksperiancat në punë, në problemet që mund të ketë pas në gjykata. Ky formular është një bazë për komisionin e etikës dhe integritetit dhe figurës së individit, që t’i propozojë strukturave të PD të gjitha karakteristikat e personit në fjalë dhe se çfarë duhet bërë në vijim në lidhje me pastërtinë e figurës”, u shpreh Halim Kosova, Kryetar i Komisionit të etikës dhe integritetit të individëve në PD.

Kryetari i Komisionit të Garancive Statutore dhe Etikës në PS thotë se në formularin që do të hartohet për zgjedhjet e ardhshme shkohet përtej ligjit duke përfshirë përjashtimin nga kandidimi edhe të individëve me shkelje të rënda administrative apo ndaj të cilëve ka dënime apo akuza me ndjershmëri të lartë në opinion për korrupsion.

“Sidomos zyrtarët, që në të kaluarën kanë patur hije të errëta dyshimi për afera korruptive, të cilat mund të kenë patur elementë të veprës penale, ose mund edhe të mos ketë arritur që të faktohet akuza penale, por kanë një akt administrativ, i cili i ngarkon me përgjegjësi dhe i lë me dyshime në këtë aspekt”, shpjegon Alket Hyseni Kryetar i Komisionit të Garancive Statutore dhe etikës në PS.

Por përfaqësues të botës akademike janë të ashpër kur bëhet fjalë për garancinë, dhe argumentat i gjejnë në sjelljen e të gjitha palëve politike deri tani.

“Të dyja palët janë provuar më shumë se një herë, në pushtetin qëndror dhe pushtetin vendor. Nëse Shqipëria sot është jo me demokraci të brishtë, por me demokraci autoritariane, ky produkt është i tyre dhe e ardhmja me përfaqësues të besueshëm nuk mund të vijë nga të njëjtët njerëz që sollën realitetin ekzistues”, shprehet Përparim Kabo, Dekan i Fakultetit të Shkencave Psikosociale dhe Politike në Universitetin Mesdhetar.

E megjithatë përtej kritikave , përfaqësues të PD mendojnë se ka gjithnjë forma për të ringritur besimin. Zoti Kosova e konsideron përpjekjen e saj për të zgjedhur përfaqësues me integritet të lartë moral në listat e kandidatëve si vaksinë që e mban të shëndetshme PD dhe qeverisjen e saj, duke e mbrojtur nga krimi dhe korrupsioni.

“ Shumë njerëz të ndershëm dhe punëtor që e duan ndryshimin në këtë vend janë indiferent duke parë se si janë bërë zgjedhjet e deritanishme ose çfarë kontigjenti ka marrë pjesë në parlament. Kur ata të shohin që PD ka një formular i cili të përzgjedh në bazë të pastërtisë së figurës ata do të tërhiqen dhe do t’i afrohen PD, sepse do shohin vërtet që njeriu i ndershëm me merita ka vend në PD dhe i hapet rruga për më tej”, thotë Halim Kosova Kryetar i Komisionit të etikës dhe integritetit të individit në PD.

Pak kohë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë inkurajoi drejtuesit e partive politike përmes një letre, të mbajnë jashtë listave të kandidimit personat e korruptuar dhe me rekorde kriminale, në mbështetje të dëshirës së popullit për një qeverisje të mirë.

Në zgjedhjet e pritshme të pranverës së ardhshme kriteret e përfaqësimit janë shtuar. Ato nuk përfshijnë vetëm personat me të shkuar kriminale por dhe individët e korruptuar dhe për forcat kryesore politike në vend që kanë qeverisur përkatësisht 16 dhe 13 vite pas rrëzimit të regjimit komunist, duket se shkalla e filtrimit do të jetë e vështirë./VOA