Edhe pse kanë mbetur pak orë deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri, ende s’dihet se kush do të jetë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme. Në njërën anë, presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, kurse në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje që pesë vite më parë votoi për Osmanin, tashmë kanë propozuar një kandidat tjetër, Glauk Konjufcën.
Madje nga kjo parti, kanë filluar edhe të ‘’zhvlerësojnë’’ postin e kryetarit të vendit. Këshilltari i Albin Kurtit, Jeton Zulfaj, ka bërë disa postime në Facebook, drejtuar Osmanit dhe situatës politike, përcjell Express.
Në një të tillë, ai shkruan se, kompetencat e presidentit janë ‘’simbolike’’.
Postimi:
3/5
Republika jonë është demokraci kushtetuese parlamentare. Presidenti nuk ka fuqi ekzekutive, sepse fuqia ndodhet në Kuvend, te shumica parlamentare.
Është shumica parlamentare ajo që miraton buxhetin dhe përcakton orientimin e politikave dhe zhvillimit të vendit, duke përfshirë edhe buxhetin për ushtrinë.
Po ashtu, është Kuvendi ai që ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare dhe përcakton obligimet shtetërore.
Politika e jashtme përcaktohet nga aftësia për të zbatuar në vend zotimet ndërkombëtare.
Presidenti nuk udhëheq me shumicë parlamentare për t’i zbatuar ato; për këtë nevojitet shumica parlamentare që udhëhiqet nga kryeministri.
Edhe sikur të zgjedhej presidenti nga populli, kompetencat do t’i mbesin të njëjta, simbolike.