Përurimi i librit të Ibrahim Rugovës "Pushteti dhe intelektualët" - Gazeta Express
string(63) "perurimi-i-librit-te-ibrahim-rugoves-pushteti-dhe-intelektualet"

Përurimi i librit të Ibrahim Rugovës “Pushteti dhe intelektualët”

OP/ED

Gazeta Express

21/01/2024 14:42

Shkruan: Muhamet Hamiti

Një parantezë, para se të flas për librin që po e përurojmë sot. 

Lexo Edhe:

Sikur Vacllav Havellit, shkrimtarit çek, më vonë President i vendit të tij, edhe Ibrahim Rugovës, shkrimtarit që u bë President i vendit të vet, politika iu imponua. Të dytë i bashkonte ideja e një imperativi për një dimension shpirtëror dhe moral në politikë. Të dytë kanë përsiatur për relacionet e intelektualëve me pushtetin.  Presidentit Havell i është dhënë Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  – Dr. Ibrahim Rugova më 2010. “Është nder për mua që të jem personi i parë që shpërblehet me Medaljen e Artë, e cila e mban emrin e një personaliteti të shquar të historisë së shtetit tuaj të ri. Unë kam qenë shumë i lidhur me dr. Ibrahim Rugovën, me lidhje të miqësisë”, i ka shkruar Presidenti Havell Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut, që ia kishte akorduar këtë medalje. Në vitin 1998 organizata “People in Need”, edhe me pëlqimin e Havellit, i kishte akorduar Ibrahim Rugovës çmimin vjetor “Homo Homini”, që u jepet njerëzve që kontribuojnë për promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Vacllav Havelli ishte presidenti i parë i nje vendi anëtar i NATO-s që e vizitoi Kosovën pas çlirimit të saj, në qershor të vitit 1999. Një koincidencë historike: Presidenti Havell erdhi në Kosovë më 27 qershor 1999, një ditë para 30 vjetorit të festimeve agresive të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës që kishte bërë Sllobodan Millosheviqi, kur nuk kishte përjashtuar luftën e armatosur për qëllimet e regjimit të vet, Serbinë e Madhe, ndonëse nuk e quante me këtë emër. Çekia u bë anëtare e NATO-s më 12 mars 1999, 12 ditë para nisjes së fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë për ta shpëtuar popullin e Kosovës. Kosova doli e lirë më 12 qershor 1999.

 “Pushteti dhe intelektualët” është libri i 19-të i Kolanës “Kultura” të Fondacionit Ibrahim Rugova, që botohet në 18-vjetorin e kalimit në amshim të Ibrahim Rugovës. I pari në këtë kolanë, i botuar më 2012, mbante titullin “Rugova i letërsisë”; mblidhte shkrime e studime për Ibrahim Rugovën njeri të letërsisë, jo të politikës. 

Një vepër tjetër e kësaj kolane, “Kujtesa e Rugovës”, me nëntitullin ”Kujtesa, Dijetari, Prijësi” (2016), që e ka përgatitur Profesor Kujtim Shala, e jep Kujtesën e Rugovës dijetar dhe prijës në sytë e bashkë-kohësve të tij, të rinj e të vjetër. Para katër vjetësh, Fondacioni Rugova nxori në dritë librin “Kështu foli Rugova”, përgatitur nga Munish Hyseni, që përmbledh intervistat e tij të viteve 1990-2005, të epokës së tij 16-vjeçare si prijës demokratik i popullit të Kosovës, në kohën më të madhe president. Libri që po e paraqesim sot para publikut, “Pushteti dhe intelektualët”, që po ashtu e ka përgatitur Munish Hyseni, përmbledh intervistat e Ibrahim Rugovës për letërsinë dhe kulturën në harkun kohor 1969-2005, por që natyrshëm e mbizotërojnë dy dekada të veprimtarisë intensive diturore të Rugovës, vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Në atë kohë Rugova e botoi veprën e tij të madhe në fushë të studimeve, të kritikës e të teorisë letrare, në disa libra. Libri i tij i mbramë kritik, “Refuzimi estetik” (1987), botuar para 37 vjetëve, paralajmëronte te eseu me këtë titull, që bëhet titulli i librit, kalimin prej letërsisë te diskutimet për demokracinë, zgjedhjen e lirë, pushtetin, domethanë politikën, përtej letërsisë. Të kujtojmë fjalinë nistore të këtij shkrimi: “Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm”.

Titulli “Pushteti dhe intelektualët” del prej intervistës së Ibrahim Rugovës të po atij viti, maj 1987, “Pushteti i mirë i përfill intelektualët e vërtetë”, botuar te gazeta e studentëve “Bota e re”. Kur i kërkohet të flasë për raportin e inteligjencies me shoqërinë, ai thotë me shprehje lapidare: “Mësim historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë”. Madje, po këtu, me fjalë të mprehta godiste “qarqet reaksionare e shoviniste jashtë Kosovës” (me fjalë të tjera, në Serbi) të cilët intelektualit shqiptar ia mohonin “legjitimitetin kombëtar e kulturor dhe të drejtën e mendimit, në emër të një ‘rrezikimi’ dhe të një ‘kozmopolitizmi etatist’, të një ortodoksizmi e bizantinizmi mesjetar të pashembullt në botën bashkëkohore” (f. 19 e këtij libri). Kjo është gjuhë politike me të cilën kishte guxuar të fliste në atë kohë intelektuali shqiptar i Kosovës, Ibrahim Rugova. Të tjerët do ta figuronin më shumë mesazhin e vet. Drejt gjuhës më përfaqësuese/dëftuese ai dhe kolegët e tij shkrimtarë të Kosovës do të kalonin paevitueshëm, shpejt, që në vitin 1988, në bisedat e tyre me shkrimtarët serbë dhe me publikun e gjerë, shoqëror e politik, krejt jomiqësor. Ibrahim Rugova do të bëhej kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i “qelizës së parë të jetës demokratike të Kosovës”, siç do ta quante Rugova në një intervistë të qershorit të vitit 1990, kur tashmë kishte gjysmë viti që ishte në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kur qe pyetur për planet e tjera të punës, teksa priste t’i dilte nga shtypi libri “Refuzimi estetik”, Rugova qe përgjigjur: “Sa për planet e reja, herëve të tjera. Vetëm po përkujtoj një fjalë të popullit se ‘Njeriu flet, e fati qesh’. Dhe ku ta dimë se ç’sjell fati, por fat është të punosh”.

Fati e solli që në vitin 1988 dhe 1989, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, bashkë me kolegët e vet të zgjedhur, shkrimtarë të njohur shqiptarë, të përballej më frontalisht me Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë, që ishte vënë tashmë në shërbim të politikës së Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve dhe Kosovës, për Serbinë e Madhe. “Serbët vijnë përsëri si hakmarrës” thoshte Ibrahim Rugova për revistën gjermane “Der Spiegel” në qershor të vitit 1989, pak ditë para se Millosheviqi me regjimin e vet të festonte në Gazimestan 600-vjetorin e Betejës së Kosovës. Paralajmëronte Rugova: “Në qoftë se Serbia do të përpiqet përsëri të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje”. Me Millosheqevin famëkeq do të përballej më vonë si udhëheqës i popullit të Kosovës, të pushtuar nga Serbia. Për fatin e tij të mirë, për mrekullinë njerëzore, si udhëheqës i popullit të lirë të Kosovës, më vonë, në vitin 2002, Rugova u përball me Millosheviqin e akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit, teksa Kasapi serb ishte në bankën e të akuzuarve, në Gjykatën e Hagës.

Libri që e kemi në dorë, “Pushteti dhe intelektualët”, është strukturuar në gjashtë kapituj. I pari, që u përmend tashmë, “Pushteti dhe intelektualët”; i mbrami përfshin intervistën e tij të fundit, të shkurtër, të tetorit të vitit 2005, me rastin e botimit të kompletit të librave të tij në Prishtinë, që Rugova e dha tre muaj para se të ndërronte jetë në janar të vitit 2006. Kapitulli i dytë “Monizmi heterogjen” dhe i tretë “Fenomene letrare” përfshijnë intervista që trajtojnë çështje të letërsisë, të studimit të letërsisë, të kritikës letrare, të botimeve letrare, të mësimit të letërsisë kombëtare në shkolla. “Ta forcojmë guximin kur kemi për të thënë diçka”, thoshte në një intervistë që bëri me të Xhemail Mustafa më 1978. Ibrahim Rugova shqiptoi me guxim mendimin e vet për letërsinë, për kritikën letrare, për shoqërinë. Demaskoi “totalitarizmin e mendimeve letrare që i fle një pjesë e kritikës letrare” të kohës (f. 41). Kapitulli i katërt i librit, titulluar “Repriza e një krize”, merret kryesisht me trazimet që krijuan bisedat e shkrimtarëve të Kosovës me shkrimtarët e Serbisë në pranverë të vitit 1988 – “presim dialog të barabartë”, thoshte, duke menduar, sigurisht, dialog në mes të të barabartëve – por edhe për vështirësitë e veprimtarisë botuese në Kosovë. Kapitulli i pestë përfshin dy intervista (të viteve 1982 dhe 1989) të Ibrahim Rugovës për veprën e Pjetër Bogdanit, “Çeta e profetëve” (1685), të cilën kritiku e studiuesi ynë e cilësonte “sintezë të gjithë letërsisë dhe të dijes shqiptare të kohës së vet”; “vepër të parë origjinale, shkruar krejt vetëm shqip” (f. 112), natyrisht krahas përkthimit në italisht që ia kishte kërkuar Vatikani për arsye censure. Pjetër Bogdani, udhëheqësi i rezistencës kundër sundimit otoman, u bë mësuesi i pashpallur i Rugovës kur ky vetë u bë udhëheqës i rezistencës shqiptare kundër sundimit serb në Kosovë.

Po e përmbyll këtë paraqitje me një fjalë mirënjohjeje për Kujtim Shalën, i cili ka kryer punë të lavdueshme për ta ruajtur e qarkulluar veprën e Ibrahim Rugovës, që ka qenë e madhe në fushë të letërsisë, të studimeve moderne shqiptare; po aq e madhe, në mos më e madhe në fushën e veprimit politik, si trashëgimi e Prijësit të lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, si President historik, Ati Themeltar i shtetit tonë. Po ashtu, mirënjohje edhe Munish Hysenit, përgatitësit të këtij libri dhe autorit të Biblbiografisë letrare të Ibrahim Rugovës, botuar më 2016.