Studimet tregojnë se personat që vuajnë nga alergjitë ose ekzemat mund të përballen me rrezik më të lartë komplikacionesh pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Kërkimet e prezantuara në takimin vjetor të American College of Allergy, Asthma, and Immunology treguan se pacientët me astmë, rrufë të ftohtë ose probleme të lëkurës të shkaktuara nga alergjitë kishin më shumë infeksione dhe shpesh kërkonin procedura të tjera pas operacionit.
Në një studim me 20,000 gra që kryen operacione për rindërtimin e gjirit pas kancerit, u zbulua se ato me ekzemë, dermatit apo gjendje të tjera alergjike të lëkurës kishin më shumë komplikacione menjëherë pas vendosjes së implantit. Pas tre vjetësh, pjesa më e madhe e tyre kishte nevojë për operacione shtesë.
“Personat me ekzemë ose probleme të ngjashme kanë lëkurë më të ndjeshme dhe nivele më të larta inflamacioni,” tha Philong Nguyen, studiues në Universitetin e Teksasit. “Kjo e bën shërimin pas operacionit më të vështirë dhe rrit mundësinë e infeksioneve.”
Një studim tjetër analizoi 38,000 të rritur që kryen operacione të kockave. Ata me ekzemë, astmë ose rrufë të ftohtë kishin më shumë infeksione, inflamacion kockor dhe komplikacione të tjera, madje edhe dy vjet pas operacionit.
“Rezultatet tregojnë se gjendjet alergjike mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të shëruar jo vetëm lëkurën, por edhe kockat,” tha Joshua Wang, studiues dhe drejtues i studimit për pacientët me transplant kockash.
Rreth 44% e britanikëve vuajnë nga alergjitë dhe 20% kanë një problem të lëkurës. Ekspertët rekomandojnë që pacientët me këto gjendje të marrin vëmendje dhe kontroll të shtuar pas çdo operacioni. /GazetaExpress/