Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Tajlandës bombardoi të enjten objektiva në territorin e Kamboxhias, konfirmuan zyrtarë nga të dyja vendet, ndërsa përplasjet e armatosura përgjatë kufirit të diskutueshëm kanë shkaktuar vdekjen e të paktën dy civilëve dhe kanë rritur ndjeshëm tensionet rajonale.
Sipas ushtrisë tajlandeze, nga gjashtë avionë luftarakë F-16 të përgatitur për dislokim përgjatë kufirit të kontestuar, njëri ka ndërmarrë sulmin ajror duke shkatërruar një objektiv ushtarak në territorin kamboxhian. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes.
“Ne përdorëm forcat ajrore kundër objektivave ushtarake, siç ishte planifikuar”, deklaroi për media zëvendëszëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Richa Suksuwanon.
🚨🇹🇭🇰🇭BIG BREAKING: Thailand says F-16 jet deployed against Cambodian forces.
F-16 jets 'destroyed' Cambodian battalions.
thai-Cambodian border:#ไทยนี้รักสงบแต่ถึงรบไม่ขลาด#CambodiaOpenedFire#ไทยกัมพูชา #กองทัพบก #ThailandStartedTheWar#Thailand–#Cambodia#ปราสาทตาเมือนธม pic.twitter.com/mfBlGWejVw— TIger NS (@TIgerNS3) July 24, 2025
Në të njëjtën kohë, Tajlanda ka mbyllur zyrtarisht kufirin me Kamboxhian, si pjesë e masave të sigurisë.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se avionët tajlandezë hodhën dy bomba mbi një rrugë, duke dënuar ashpër atë që e quajti “agresion ushtarak të pamatur dhe brutal nga Mbretëria e Tajlandës kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Kamboxhias”.
Ky përshkallëzim i dhunës vjen pas vendimit të Tajlandës për të tërhequr ambasadorin e saj nga Kamboxhia mbrëmjen e së mërkurës dhe për të dëbuar përfaqësuesin diplomatik kamboxhian në Bangkok. Vendimi u mor pasi një tjetër ushtar tajlandez humbi këmbën nga një minë që, sipas Bangkokut, ishte vendosur kohët e fundit në një zonë të diskutueshme.
Banorët tajlandezë në provincën kufitare Surin janë detyruar të strehohen në bunkerë të ndërtuar nga beton, rërë dhe goma makinash, ndërsa dy ushtritë kanë shkëmbyer zjarr intensiv.
“Sa plumba janë qëlluar? Pa numër!”, tha një grua për Shërbimin Publik Tajlandez të Transmetimit (TPBS), ndërsa qëndronte e fshehur në një strehë, në sfondin e zhurmave të të shtënave dhe shpërthimeve.
Për më shumë se një shekull, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme për sovranitetin e disa pikave të pashënuara përgjatë kufirit të tyre tokësor 817 kilometra të gjatë, duke shkaktuar përplasje të herëpashershme dhe dhjetëra viktima ndër vite. Ndër to përfshihet edhe një konflikt shtatëditor me artileri në vitin 2011.
Tensionet janë ringjallur sërish që nga maji, kur një ushtar kamboxhian u vra gjatë një përplasjeje të shkurtër, që më pas u shndërrua në një krizë të plotë diplomatike dhe tani ka çuar në përleshje të armatosura mes dy vendeve.