Natyra e Vetëvendosjes është e tillë: gjithçka që nuk është ajo, është e pavlerë. Gjithçka që mund ta nëpërkëmbë, do ta bëjë që ç’ke me të – dhe atë menjëherë, dhe atë sa më fort që të jetë e mundshme, përsa të jetë e mundur. E bullizmi është fashizëm. Është, thënë më poetikisht, aura e fashizmit
Nga Arben Idrizi
Ka një arsye të fuqishme pse duhet të përsëritën gjërat e nënkuptuara. Ndër të tjera, ngase heshtja e tyre (marrja si të mirëqena) i bën ta humbin rëndësinë, bën të injorohet rreziku fatal që mund të paraqesin menjëherë ose në një të ardhme të afërt a të largët. Paradoksalisht, në një rast të tillë është përfitues vetëm ai që duhej të ishte i prekur; ai ndaj të cilit duhej të tregohej kujdes.
Gjëja më e nënkuptuar në ditët e sotme në vendin tonë është se Vetëvendosje është në thelb një organizëm politik fashist. Ka një mori veprimesh, deklarimesh e qëndrimesh që e dëshmojnë këtë, por raporti i saj me mediat është ndër më të frikshmit.
Përherë, por sidomos që nga marrja e pushtetit para katër vjetësh dhe së fundmi që nga fillimi i fushatës zgjedhore në fillim të këtij viti, Vetëvendosje ka praktikuar një mënyrë tipike fashiste të përballjes me opininoin. E para: Ka fyer, përçmuar, linçuar të gjitha mediat e pavarura, duke u munduar të denigrojë jo vetëm punën e tyre, profesionalizmin dhe pritshmëritë, por thjesht qenien e tyre, praninë e tyre si të tillë në opinion. E dyta: Ka futur nën kontroll të plotë mediumin publik, të cilin e përdor për nevoja te veta imediate fashiste. E treta: ka futur nën kontroll (por kjo tashmë mund t’i pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese) Këshillin e Pavarur të mediave, me çka synonte të krijonte një korridor kriminal të frikpsimit, shantazhimit dhe pastaj ndëshkimit të mediave, rrjedhimisht një mundësi të prekshme të pamundësimit të punës së tyre profesionale. E katërta: është munduar të ruajë ndonjë kontakt eventual me ndonjë media private që i mban anën, për ta përdorur si potencial të shfryrjes së vet ndaj çdo kujt që s’pajtohet me të dhe që pretendon se ia rrezikon pushtetin, në momentet kur e konsideron urgjente ta bëjë këtë.
Pra, ajo që shohim si rezultat është se Vetëvendosje ka bërë një prerje kirugjikale brutale: asnjë ballafaqim me opinionin publik demokratik!
Gjatë pothuajse tërë mandatit të qeverisjes nuk janë ballafaqur në media me opinionin publik rreth mënyrës së tyre të qeverisjes. Nuk kanë lejuar asnjë ballafaqim me gazetarë, opinionistë analistë.
Për Vetëvendosjen, opinioni publik dhe transparenca janë mëkate ideologjike. Dhe nëse ka ndonjë imperativ kategorik tek i cili janë të përqendruara të gjitha fuqitë dhe shpresat, është pikërisht ky: Vepro në errësirë!
Kjo na e bën me dije përkufizimin e palëkundur: Askush nuk është i denjë t’i jepet llogari. Kushdo që kërkon të dijë diçka, ka vetëm qëllime të këqija, është i shitur, është kundër rendit, shoqërisë, vendit që jemi vetëm ne.
Këtë e kanë rënduar edhe më tepër, përtej pothuajse çdo mundësie të të kuptuarit, në muajt e fundit, me fillimin e fushatës dhe tash me pamundësinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
Injorimi i opinionit publik është veprim fashist. Është mënyra më banale, joshoqërore, jodemokratike e refuzimit të debatimit, pranimit të kritikave, dëgjimit të mendimeve të të tjerëve, analizave, komenteve, ofrimit të sugjerimeve, e madje edhe e mendimeve të skjashme kundër. Është tallje dhe përçmim i përgjegjësisë që e kanë kërkuar, ose që në këtë rast e kanë uzurpuar. Është madje, përdhunim i demokracisë. Është madje-madje bullizim i demokracisë. Vetëvendosje përherë ka manifestuar tipare bullizmi në raport me shoqërinë. Ngase natyra e saj është e tillë: gjithçka që nuk është ajo, është e pavlerë. Pretendimi, sjellja e saj është thua se është e përjetshme, se duhet ta pranojmë si të përjetshme dhe se çfarë është ajo duhet të jemi edhe ne. Duke refuzuar, përçmuar parimin më fundamental demokratik: është thjesht një subjekt politik që ka një mandat të kufizuar kohor qeverisjeje dhe nesër mund të mos jetë më në skenë, të mos ketë as edhe një rol në shoqëri. Megjithatë, vazhdon ta shohë veten në pasqyrën magjike të sajuar nga lënda e saj: ajo është shoqëria, ajo është vendi, ajo është e ardhmja dhe ajo është e përjetshme. Ndërkohë, gjithçka që mund ta nëpërkëmbë, do ta bëjë që ç’ke me të – dhe atë menjëherë, dhe atë sa më fort që të jetë e mundshme, përsa të jetë e mundur.
Duke qenë se mungesa e një opozite të fuqishme dhe të zëshme politike gjatë këtyre viteve e ka rënduar edhe më barrën e medias, pushteti, do të thotë Vetëvendosje, e ka ndier si asnjëherë lehtësinë dhe gatishmërinë e sulmit mbi të. Pushteti kështu në të vërtetë e ka shfrytëzuar rastin t’ia krijojë vetes rehatinë e mjaftueshme që të vërsulet pamëshirshëm mbi pushtetin jopolitik më rivalizues të tij. Dhe them se edhe e ka shijuar.
Po kjo është sjellje bulliste. E bullizmi është fashizëm. Është, thënë më poetikisht, aura e fashizmit.