Lufta për territoret lindore të Ukrainës nuk ka nisur në shkurt të 2022-shit. Oblasti i Luhanskut dhe Donjeckut janë territore për të cilat Ukraina dhe Rusia hynë në konflikt qysh në 2014, ku u aneksua dhe Krimeja.
Oblastet e lartpërmendura, në censusin e vitit 2001, flisnin për një shumicë demografike ukrainase, por sidoqoftë, raporti me popullatën ruse ka qenë 60% me 40%. Pas konfliktit të vitit 2014, me shpalljen e republikave autonome popullore të Luhanskut dhe Donjeckut, këto republika të vetshpallura kanë qenë në tensione të pandërprera me shtetin e Ukrainës.
Pas fillimit të luftës në 2022-shin, demografia në këto republika ka ndryshuar. Besohet që me largimin e një pjese të popullatës ukrainase drejt territoreve perëndimore dhe shteteve të tjera europiane, këto zona sot janë me shumicë ruse.

Sipas institutit të Studimeve të Luftës, Rusia ka arritur të fitojë deri më tani 19,4% të territorit të Ukrainës, përcjell A2 CNN. Rusia ka pushtuar pothuajse tërësisht territoret e njohura si: oblasti i Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhias, Kersonit dhe Krimesë.
Strategjia ruse kryesisht konsiston në marrjen e zonave, të cilat kanë një popullsi të lartë ruse, për shkak të asimilimit dhe kontrollit më të lehtë të territorit. Përpos kësaj strategjie, ushtria ruse ka avancuar edhe në territoret jugore, duke kontrolluar kështu pjesën më të madhe të Detit të Zi, ku Ukraina ka pasur dalje në të gjithë territorin jugor, përpara luftës.
Fronti rus ka parë një avancim më të ngadalshëm drejt Odesës, një nga qytetet me rëndësi të lartë strategjike për Ukrainën. Presidenti Trump u ka bërë presion të dyja palëve që të ulen në bisedime dhe të arrijnë një armëpushim të plotë deri në qershor. Objektivat ruse për të lënë pa dalje në Detin e Zi Ukrainën, duken pothuajse të pamundura, sidomos duke marrë parasysh që fronti ka pësuar shumë pak ndryshime në muajt e fundit.