Mesatarisht gratë në Gjermani lindin 1,35 fëmijë, një rënie historike e natalitetit. Sinjal alarmi për mirëqenien apo një shenjë e së drejtës së gruas për vetëvendosje?
Julia Brandner ishte 28 vjeç, kur iu nënshtrua sterilizimit. Për ndërhyrjen gjinekologia i kërkoi një raport psikiatrik për aftësinë e saj mendore, edhe pse ligji kërkon për gratë mbi 25 vjeç vetëm pëlqimin e tyre. Brandner është e habitur nga intensiteti i debatit lidhur me librin e saj.
Ajo vëren një zhvendosje djathtas drejt vlerave më tradicionale, ku gratë duhet të kthehen në kuzhinë dhe të kujdesen për fëmijët. AfD, që është pjesërisht e ekstremit të djathtë, ka zbuluar temën e rënies së nivelit të lindjeve dhe bën thirrje për më shumë fëmijë si një mjet kundër mungesës së punëtorëve të kualifikuar në vend të emigracionit.
Kritika e Brandner: Edhe në vitin 2025, çështja e fëmijëve do të bjerë pothuajse tërësisht mbi gratë. “Pikërisht nënat e shumta beqare lihen vetëm, ndërsa baballarëve u kërkohet pak llogari. Të kesh fëmijë është një rrezik i madh varfërie për gratë. Nuk bën, që edhe sot një grua të duhet të sakrifikojë mirëqënien e saj për të siguruar mirëqënien e shoqërisë.”
Shkalla e lindshmërisë po bie në të gjithë botën
Gjermania nuk është e vetmja në rënien e shkallës së lindshmërisë. Në mbarë botën, shifrat po bien në mënyrë dramatike, në Korenë e Jugut rënia është në 0.75 – përjashtimi i vetëm është rajoni i Sahelit, ku gratë ende lindin mesatarisht më shumë se pesë fëmijë.
Michaela Kreyenfeld është sociologe dhe bashkautore e raportit të qeverisë gjermane për familjen. Ajo konstaton një lidhje gjithnjë e më të fortë midis krizave ekonomike dhe pasigurive dhe qëndrimit ndaj fertilitetit. Në një intervistë me DW, ajo thotë: “A është egoizëm apo thjesht vetëvendosje, ajo që i bën gratë të mos duan të kenë fëmijë? Ne kemi folur për këtë që nga vitet 1970, kështu që nuk është asgjë e re.” Megjithatë krizat e shumëfishta janë të reja. “Pandemia e koronavirusit, ndryshimi i shpejtë i klimës dhe inflacioni i lartë. Kjo është një tjetër situatë e re, sidomos për brezin e ri”.
Elon Musk dhe pronatalistët propagandojnë më shumë fëmijë
Në SHBA po shfaqet aktualisht një lëvizje e kundërt, me njeriun më të pasur në botë si përfaqësuesin e saj më të shquar në krye: Pronatalistët dhe Elon Musk duan të sjellin sa më shumë fëmijë në botë.
Edhe presidenti rus Vladimir Putin porosit gratë ruse të kenë më shumë fëmijë – kush mbështet mungesën e fëmijëve, përballet me një gjobë deri në 4,000 euro, thotë Kreyenfeld. As mirëqenia e fëmijëve dhe as e prindërve, dhe sigurisht jo e gruas, nuk është në qendër të interesit – fjala kyçe: shtatzënitë e adoleshenteve. Kushtet, në të cilat lindin fëmijët, janë pra dytësore.
Një shembull paralajmërues nga e kaluara e Evropës Lindore, thotë sociologja, është Rumania: “Presidenti Çaushesku mori masa masive në atë kohë dhe rriti shkallën e lindjeve nga 1.8 në 4 brenda një viti, duke kufizuar aksesin te kontraceptivët dhe duke vendosur dënime drakoniane për abortin. Rezultati ishte i ashtuquajturi ‘brezi i humbur’ në Rumani: brezi prindërit e të cilëve nuk kujdeseshin për fëmijët, sepse nuk i donin aspak”.
“Fertility gap”- hendeku midis dëshirës dhe mundësive
Pra, çfarë mund të bëhet për të rritur përsëri shkallën e lindjeve pa presion politik? Martin Bujard, i cili është më shumë se kushdo tjetër ekspert për shkallën e lindjeve në Gjermani dhe i njeh shifrat e dy dekadave të fundit deri në presjen dhjetore, e di përgjigjen. Zëvendësdrejtori i Institutit gjerman për Studime të Popullsisë thotë se debati për gratë, që mbeten vullnetarisht pa fëmijë si Julia Brandner, anashkalon thelbin.
“Nëse dikush nuk dëshiron të ketë fëmijë, është vendimi i tij i lirë. Kjo nuk duhet të stigmatizohet; megjithatë po bëhet gjithnjë e më e pranueshme të jetosh një jetë pa fëmijë.” Por çështja është diku tjetër: “Ne pyesim në mënyrë empirike për dëshirën për fëmijë – dhe kjo tregon se së fundi në 2024 dëshira për fëmijë ishte mesatarisht rreth 1.8 fëmijë për grua dhe për burrë, që është dukshëm më e lartë se shkalla e lindjeve prej 1.35. Nëse këto dëshira për të pasur fëmijë, që ekzistojnë, do të realizoheshin, do të kishim më pak probleme demografike dhe shumë më tepër mirëqenie në plan afatgjatë”.
“Fertility gap” quhet hendeku midis numrit të dëshiruar të fëmijëve dhe shkallës së lindjeve, që do të thotë se shumë gra në fund mund të lindin vetëm një fëmijë në vend të dy fëmijëve të dëshiruar. Kjo ndodh, sepse ato mund të gjejnë një marrëdhënie të qëndrueshme vonë në jetë, sepse fëmijët në debatin shoqëror shihen gjithnjë e më shpesh si problem dhe jo si pasurim dhe sepse politika mund të bënte më shumë se sa bën aktualisht.
Detyrat për Gjermaninë: Përmirësimi i kushteve
Martin Bujard vlerëson përpjekjet e shkuara të Gjermanisë për politikat familjare, si zgjerimi i kopshteve dhe shkollat gjithëditore, si dhe futjen e ndihmës financiare për prindërit në fillim të viteve 2000. Ky ndryshim paradigme ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi Gjermania ka qenë ndër vendet me normat më të këqija të lindjeve në botë për dekada me radhë.
Megjithatë: “Që nga viti 2013 ne kemi të drejtë ligjore për mbajtjen e fëmijëve, por që nuk është më aq e besueshme, sepse kujdesi ndaj fëmijëve shpesh mungon. Ka mungesë të punonjësve të kualifikuar dhe shumë pak para rrjedhin në sistem. Nëse do të kishte para të mjaftueshme, do të flisnim edhe për paga më të larta për edukatorët.”
Gjermanisë i kërkohet të bëjë më shumë në politikën familjare, pasi kjo tendencë është shqetësuese: 22 përqind e grave dhe 36 përqind e burrave midis 30 dhe 50 vjeç aktualisht nuk kanë fëmijë, sipas Ministrisë gjermane për Çështjet e Familjes, të Moshuarve, Grave dhe të Rinjve. Sidomos akademiket e reja femra mbeten gjithnjë e më shumë pa fëmijë. E vetmja mënyrë është përmirësimi i ekuilibrit mes punës dhe jetës familjare, thotë zëvendësdrejtori i Institutit gjerman për Studimet për Popullsinë.
“Skenari më i keq është, që me një rënie të mëtejshme të shkallës së lindjeve në vitin 2030 sigurimi shoqëror do të përballet me probleme edhe më serioze në plan afatgjatë. Kjo do t`i kushtonte shumë mirëqenies: kontributet e sigurimeve shoqërore do të duhej të rriteshin, pensionet do të binin dhe shkurtime do të duhej të bëheshin edhe në kujdesin shëndetësor. Mungesa e punëtorëve të kualifikuar do të thellohej, ajo do të mund të korrigjohej vetëm në masë të kufizuar përmes imigracionit të mëtejshëm”. /DW