Përse plakja e trurit dallon shumë mes njerëzve - Gazeta Express
string(47) "perse-plakja-e-trurit-dallon-shume-mes-njerezve"

Përse plakja e trurit dallon shumë mes njerëzve

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

08/11/2024 18:53

Studim i ri ka zbuluar disa faktorë që mund të ndikojnë në mënyrën se si truri plaket dhe pse disa njerëz përjetojnë rënie më të shpejtë të aftësive mendore sesa të tjerët.

Hulumtimi ka treguar se aftësitë mendore që kanë njerëzit kur janë më të rinj, madje edhe nga mosha 11-vjeçare, mund të ndikojnë në atë se sa mirë mund të plaket truri i njeriut.

Pjesa më e madhe e këtyre faktorëve janë të lidhura me jetën e hershme, por edhe zakonet dhe mënyra e jetesës në moshën e rritur luajnë rol të rëndësishëm, ka shkruar CNN.

“Kemi zbuluar se faktorë të tillë si aktivitet fizike dhe mendore, shmangia e faktorëve të rrezikut si tensioni i lartë i gjakut, duhani, dhe mbipesha, si dhe angazhimi në aktivitete si mësimi i një gjuhe të dytë ose luajtja e një instrumenti muzikor, mund të ndihmojnë në ruajtjen e trurit dhe ngadalësimin e plakjes mendore”, ka thënë autori i studimit, Simon Cox nga Universiteti i Edinburgut.

Këta faktorë, ani pse të vegjël, mund të kenë ndikim të rëndësishëm kur mblidhen.

Studimi u bazua në të dhënat e dy grupeve të rriturish në Skoci që janë ndjekur për dekada.

“Ne kemi bërë teste të njohurive të pjesëmarrësve kur kishin 11 vjeç dhe u testuan përsëri kur ishin në moshën 70-90 vjeç”, ka thënë Cox.

Hulumtimi tregoi se truri i disa individëve ishte shumë më i shëndetshëm në moshën 73-vjeçare, krahasuar me të tjerë që kishin shenja të dukshme të dëmtimit të trurit dhe plakjes të parakohshme. Ky ndryshim tregon se plakja e trurit nuk është proces i paevitueshëm dhe se mund të ndikojnë faktorë të shumtë, duke përfshirë ata të stilit të jetës dhe mjedisit.

Një tjetër gjetje është se disa individë kanë aftësi mendore që janë të ngjashme me ato të njerëzve 20-30 vjet më të rinj.

Cox ka thënë se ai dhe ekipi i tij janë munduar të kuptojnë se cilët faktorë të veçantë mund të lidhen me këtë “mosplakje” mendore.

Gjithashtu, ka edhe studime të tjera që sugjerojnë se ushtrimi i rregullt, ushqyerja e shëndetshme, gjumi i mirë dhe menaxhimi i shëndetit mendor (si depresioni) janë të gjitha të rëndësishme për të ngadalësuar plakjen e trurit dhe për të ulur rrezikun e demencës. Sipas studiuesve, edhe meditimi i përditshëm mund të ketë efekt pozitiv në shëndetin e trurit.

Ekspertët e kane krijuar një mjet që quhet “Brain Care Score”, i cili është zhvilluar për të ndihmuar në vlerësimin e rrezikut për zhvillimin e demencës ose sulmit në tru, duke marrë parasysh faktorë të tillë si presioni i gjakut, sheqeri në gjak, nivelet e kolesterolit, aktiviteti fizik, dhe marrëdhëniet shoqërore.

Rezultati më i lartë në këtë shkallë lidhet me rrezik më të ulët për këto probleme shëndetësore.

Ekspertët kanë këshilluar që njerëzit duhet të konsultohen me mjekun çdo vit ose çdo dy vjet për të monitoruar shëndetin fizik dhe për të kontrolluar faktorët që mund të ndikojnë në plakjen e trurit, si tensionin e gjakut dhe kolesterolin. Kujdesi për shëndetin e eshtrave dhe forcën e muskujve është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të mbajtur trurin në formë.

Në përfundim, edhe pse disa faktorë të trashëgimisë dhe jetës së hershme mund të ndikojnë në plakjen e trurit, është e mundur të ruhet shëndeti i trurit nëpërmjet jetesës aktive dhe të shëndetshme, si dhe duke menaxhuar faktorët e rrezikut.