“Përqafimi i Ariut” hap edicionin e ri të PriFest - Gazeta Express
string(47) "perqafimi-i-ariut-hap-edicionin-e-ri-te-prifest"

Arte

Gazeta Express

25/08/2025 15:55

“Përqafimi i Ariut” hap edicionin e ri të PriFest

Arte

Gazeta Express

25/08/2025 15:55

Edicioni i 17-të i PriFest hapet me premierën botërore të filmit “Përqafimi i Ariut” nga regjisori Ilirjan Himaj, duke nisur festivalin me një histori të fuqishme dhe prekëse nga Kosova dhe Shqipëria.

Filmi bën pjesë në programin kryesor garues të festivalit, i cili do të sjellë një përzgjedhje të larmishme dhe magjepsëse historish nga mbarë rajoni i Ballkanit përmes filmave artistikë me metrazh të gjatë.

Ngjarja e filmit flet për Agu-n, një rojtar i strehës së arinjve, të cilit i përmbyset jeta natën kur viziton të dashurën e tij. I humbur dhe pa rrugëdalje, ai gjen ringjallje të jetës kur Tina, një vajzë e re plot hijeshi dhe ëndrra, shfaqet magjishëm në apartamentin ngjitur. Aspiratat e saj për t’u bërë këngëtare e kanë futur në grackën e një shtetari të pamëshirshëm. I prekur nga gjendja e saj, Agu mendon një plan për ta shpëtuar Tinën nga kthetrat e tij, dhe bashkë ia mësyjnë të egres. Si një ari dhe një sorkadhe, ata kërkojnë lirinë përtej ligjeve të njerëzve. Mirëpo, një gjuetar me instinkte të mprehta i ndjek pas. Kufijtë mes njeriut dhe kafshës zbehen, dhe instinktet e mbijetesës marrin kontrollin.

“Përqafimi i Ariut” eksploron temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për lirinë personale, duke ndërthurur dramën dhe tensionin në një histori që është njëkohësisht intime dhe epike. Për 107 minuta, publiku do të shijojë interpretimet e mrekullueshme të aktorëve Valmir Krasniqi, Era Balaj, Agron Shala, Astrit Kabashi dhe Teutë Krasniqi. Kjo e fundit është edhe producentja e filmit, ndërsa Ilirjan Himaj ka kontribuar si regjisor dhe montazhier i filmit, me Latif Hasollin të angazhuar si DOP.

PriFest zhvillohet nga 09-14 shtator 2025 në Kino Armata në Prishtinë.