Televizioni izraelit Channel 12, ka raportuar për një telefonatë “të tensionuar” që është zhvilluar mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, në lidhje me Iranin.
Bëhet e ditur se telefonata është karakterizuar nga mosmarrëveshje të ashpra lidhur me mënyrën se si duhet përballuar Irani – duke kundërshtuar pretendimet e mëparshme për një qëndrim të unifikuar mes dy liderëve.
Raportohet se Trump i ka thënë Netanyahut: “Unë dua një zgjidhje diplomatike me iranianët. Besoj në aftësinë time për të arritur një marrëveshje të mire,” ndërsa, ka theksuar dëshirën për një marrëveshje që do t’u shërbente interesave të të dyja palëve. Por, sipas disa burimeve, The Times of Israel, shkruan se toni i kësaj bisede bie ndesh me deklaratat zyrtare që sugjeronin se telefonata përfundoi në mirëkuptim të ndërsjellë.
Në anën tjetër, zyra e kryeministrit izraelit ka mohuar për Channel 12 që të ketë pasur një “bisedë të tensionuar” me Trump, ku pas telefonatës, zyra e Netanyahut ka publikuar një përmbledhje ku thuhej se të dy liderët “ranë dakord për nevojën për të siguruar që Irani të mos përfitojë armë bërthamore.”
Raporti për përplasjen mes Netanyahut dhe Trump doli pak pasi sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem – e cila u takua me Netanyahun në Jerusalem – deklaroi për Fox Neës: “Presidenti Trump më dërgoi posaçërisht për të folur me kryeministrin për ecurinë e negociatave dhe rëndësinë e qëndrimit të bashkuar, duke lejuar procesin të ndjekë rrugën e vet.”