Përplasja për projektet në kryeqytet – Kryeministri s’e do Ramën në krye të Prishtinës, ky ia kujton që Kurti mund të mos jetë më kryeministër - Gazeta Express
string(127) "perplasja-per-punet-ne-prishtine-kryeministri-sdo-ta-shohe-ramen-kryetar-ky-ia-kujton-qe-kurti-mund-te-mos-jete-me-kryeminister"

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 15:17

Përplasja për projektet në kryeqytet – Kryeministri s’e do Ramën në krye të Prishtinës, ky ia kujton që Kurti mund të mos jetë më kryeministër

Lajme

Gazeta Express

30/06/2025 15:17

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Kryetari i Prishtinës Përparim Rama kanë pasur sot një dalje të rrallë të përbashkët në terren, për të parë projekte që po realizohen në komunën e Prishtinës.

Për shkak se të dyja palët vijnë nga subjekte të ndryshme politike që kanë përplasje të shpeshta, vizitat kanë shënuar edhe një “incident” mes tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili është kandidat edhe për një mandat në kryeqytet  i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të takohen e të bashkëpunojnë për projektet e mëdha të kryeqytetit të cilat kanë mbetur të bllokuara.

Po ashtu, ai i tha Kurtit “të takohemi, se s’jemi taku ende qe katër vite, unë e kryeministri për të mirën e kryeqytetit”.

“Ta vazhdojmë kryeministër, të bëhemi bashkë e t’u grahim proceseve të mëdhaja dhe jo vetëm këtyre të voglave. Por është e mirë edhe kjo”, tha ai.

Kurti nisi t’i përgjigjej duke thënë se “çerdhja s’është minore” sepse “bëhet fjalë për fëmijët”.

Ai tha se kanë bërë investime në kryeqytet.

Investimet madhore, Kurti tha se “kërkojnë planifikime të tjera”, ndërsa tha se ato mbase do t’i diskutojnë me ndonjë kryetar tjetër të Prishtinës.

“Ky është një plan shumëvjeçar të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër, e kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, tha Kurti.

E Rama pasi dëgjoi deklaratën, ia ktheu Kurtit duke i thënë se ai do të jetë përsëri kryetar derisa ka vënë në pikëpyetje nëse Kurti do të jetë Kryeministër.

 “Sigurisht që do të vazhdojë si kryetar i kryeqytetit” pavarësisht “që kryeministri në detyrë do të donte që kjo të ishte ndryshe”.

“I lutem që nëse është ende në detyrë pas zgjedhjeve lokale kur unë prapë do të jem kryetar i kryeqytetit që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë për të mirën e kryeqytetit. Mos ta sabotojë kryeqytetin – qe katër vite tash – vetëm se unë nuk jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Rama tha se nuk mban inat, ndërsa shtoi se kërkon bashkëpunim me “këdo që do të jetë kryeministër”.

Pavarësisht përplasjes, Rama dhe Kurti kanë vizituar edhe punishte tjera sot gjatë ditës. Sipas njoftimeve, ata kanë shkuar edhe te çerdhen e re në lagjen e Medresesë si dhe në shkollën e re në lagjen Prishtina e Re.

Pas këtyre vizitave Kurti postoi duke e lansuar edhe një thumb për Ramën.

“Me ne ishte dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparimi Rama i cili pati mundësi të shoh nga afër punimet që po zhvillohen në disa prej projekteve të shumta nga më shumë se 12.2 milionë euro që qeveria ka investuar vetëm në fushën e arsimit në kryeqytetin e Republikës”.