Përpjekjet e fundit për miratimin e ligjit të PP-së


Gazeta Express
25 Janar 2020 12:34

Po bëhen përpjekjet e fundit për të mbledhur të gjitha grupet parlamentare për të miratuar ligjin për prokurorinë publike, megjithëse pikëpamjet e qeverisë dhe opozitës janë diametralisht të kundërta dhe pothuajse të papajtueshme, njofton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dje në Kuvend duhej të harmonizojnë pikëpamjet e tyre në përpjekjen e fundit për të siguruar shumicë prej dy të tretave për të miratuar ligjin për prokurori publike para shpërndarjes së ligjvënësve më 12 shkurt.

Ish kryeministri Zoran Zaev dje bëri thirrje që “opozita të kapërcejë veten dhe duke pranuar ligjin të dëshmojë se është kundër krimit dhe për sundimin e ligjit”, ndërsa lideri i opozitës Hristijan Mickoski kategorikisht refuzoi të votojë, duke e quajtur atë ligj “antikushtetues”, dispozitat e të cilit “janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kodin e procedurës penale i cili nuk njeh përgjime të paligjshme të komunikimeve, dhe të ashtuquajturat vepra penale që dalin nga përmbajtja e tyre. ”

Nga grupi i pavarur parlamentar i VMRO-DPMNE dje kërkoi ta kenë në dispozicion ligjin që duhet ta votojnë (edhe pse ai tashmë dhjetë ditë është në dispozicion publik në faqen e Ministrisë së drejtësisë) dhe kërkoi që të mbahet një seancë dëgjimore urgjente publike ku do të përfshiheshin edhe përfaqësues ndërkombëtarë që të ketë transparencë të plotë të procesit, pas së cilës palët do të përafrojnë pikëpamjet e tyre. Pasigurinë për formimin e shumicës prej dy të tretave për ligjin – të cilin Komisioni Evropian e përcakton jo si të domosdoshëm, por si një kusht të duhur për datë të negociatave për anëtarësim në BE – po  e shtojnë partitë shqiptare, të cilat ende nuk e kanë mbështetur atë publikisht.

Zaev përsëri u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe grupeve parlamentare që ta marrin përgjegjësinë dhe të jenë një faktor vendimtar kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe të ardhmen evropiane të vendit.

– Zyrtarët e lartë të BE-së po e theksojnë, gjithnjë e më shumë, nevojën për ta miratuar këtë ligj dhe kjo ndërlidhet me datën për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Të gjitha kapacitetet demokratike në shtet dhe të gjithë aleatët janë në favor të zgjidhjes ligjore që garanton që politikanët dhe politika do qëndrojnë larg gjyqësorit dhe që politikanët nuk do të jenë prokurorë. Për të gjitha rastet dhe lëndët aktuale, pavarësisht se për kë janë duke i përfshirë këtu edhe të gjitha lëndët dhe rastet e PSP-së, doemos duhet të garantohet zgjidhje profesionale dhe efikase – theksoi Zaev.

Ai informoi se Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që të hapin ligjin dhe të fillojë diskutimi në mënyrë që ligji të mund të finalizohet shpejt, sepse “puna nuk mund të shtyhet edhe më tej”.

Ligji është i papranueshëm për VMRO-DPMNE. Mickoski pohon se me këtë ligj shkilet kushtetuta, ndërsa Prokuroria vihet nën kontroll të qeverisë. Për të, miratimi i një ligji cilësor për prokurorinë publike nënkupton zgjidhje me të cilën “Zaevi dhe ekipi i tij do të duhet të përgjigjen dhe të dëshmohen të gjitha akuzat për krime dhe afera, prandaj i fundit që ka interes për një zgjidhje cilësore është Zaevi“.

– Këshillit të prokurorëve publikë iu imponohet obligim për të transferuar prokurorët nga PSP-ja në prokurorinë e re për ndjekje të krimit të organizuar, që është veprim kundërkushtetues dhe i kundërligjshëm. Parimi i unitetit të PP-së, i përcaktuar në Kushtetutë, nuk lejon krijim dhe shfuqizim të prokurorive publike tjera paralele, siç propozon LSDM. Nuk merret në konsideratë as parimi kushtetues i mbrojtjes, në dy nivele, të të drejtave të prokurorëve publikë, si dhe ka trajtim të pabarabartë të prokurorëve publik dhe përsëri bëhet paralelizëm në PP ngjashëm me atë me PSP – tha Mickoski.

Ai gjithashtu ka problem me zgjedhjen e prokurorit publik republikan, të cilin Kuvendit ia propozon Qeverisë dhe me mendim pozitiv të Këshillit të prokurorëve publikë dhe sipas mendimit të tij kjo zgjedhje është vlerësim politik dhe vendim i një shumice të caktuar në Kuvend.

Sipas ministres Deskoska, problemi kryesore për VMRO-DPMNE-në dhe pengesë në negociata janë kompetencat rreth ndjekjes së veprave penale që dalin nga bisedat e përgjuara.

– Ata nuk duan që ligji i ri të njohë autoritetin e Prokurorisë për të ndjekje të krimit të organizuar për të vazhduar ndjekjen e tyre. Është e qartë se kjo kompetencë u pengon atyre. Ajo që më shqetëson më së shumti është kërkesa e tyre për të ndaluar plotësisht procedurat, përkatësisht të mos kenë juridiksion për të ndjekur penalisht krimet që rrjedhin dhe që ndërlidhen me përgjimin e paligjshëm të komunikimeve. Kjo në fakt është që të ndalen të gjitha procedurat e iniciuara nga SPO – tha Deskoska dhe shtoi se VMRO-DPMNE duhet të përballet me faktin se transferimi i lëndëve është një punë që ka marrë fund.

Ndryshe, erokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhejli, gjatë vizitës në Shkup apeloi që sa më shpejtë të afrohen qëndrimet për Ligjin për Prokurori Publike dhe porositi se duhet që t’i jepet prioritet atij ligji.

Siç tha Varhejli, nëse partitë arrijnë pajtueshmëri, sipas tij, ajo do të jetë sinjal i mirë deri te vendet-anëtare për gatishmërinë e shtetit për të plotësuar atë që kërkohet prej saj./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart