Kryetari i Prishtinësm Përparim Rama, ka thënë se më 12 tetor, qytetarët do të zgjedhin mes atyre që zhvilluan dhe bllokuan.
Rama tha se Prishtina nuk ka nevojë për shpëtimtarë që shfaqen çdo katër vjet e as eksperimentues.
“Të dielën, më 12 tetor… Prishtina do të zgjedhë mes atyre që ndalën projektet; dhe atyre që nuk u ndalën kurrë! Mes atyre që vunë pengesa; dhe atyre që ndërtuan ura! Mes atyre që flasin për qytetin; dhe atyre që jetojnë për qytetin! Prishtina nuk ka nevojë për shpëtimtarë që shfaqen çdo katër vjet, as për eksperimentues që vijnë me receta të dështimit. Prishtina ka nevojë për besim, stabilitet, vazhdimësi. Ka nevojë për punë konkrete! Ka nevojë për vizion, për qytetari, për dashuri ndaj këtij qyteti”, tha Rama.
Ai theksoi se kryeqyteti është në duar të sigurta, dhe ka energjinë për të shkuar përtej.
“Dhe unë ju them sot, me bindjen më të plotë, se: Ne nuk kthehemi prapa. Ne ecim përpara. Ne shkojmë PËRTEJ! Përtej politikave të vogla! Përtej çdo pengese! Përtej çdo kufiri që i është vendosur Prishtinës! Prishtina është në duar të sigurta. Kemi një vizion, kemi një plan, kemi energjinë për ta çuar PËRTEJ. Të dielën, Votojmë për një punë që s’është ndalur asnjë ditë. Votojmë për një vizion që e ka filluar punën dhe e di si ta përfundojë Bashkë për fitoren e madhe – Bashkë për fitoren e ekipit më të mirë, ekipin e LDK-së! Bashkë për Prishtinën që ecën përpara! Bashkë për PËRTEJ!”, tha Rama.