Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij në tubimin përmbyllës, ka theksuar se si pushteti qendror bllokoi projektet kryesore.
Ai përmendi sheshin Xhorxh Bush, Spitalin e Prishtinës e nënkalimin te Agim Ramadani.
“Sepse, ndërsa ne punonim për kryeqytetin, disa punonin për ta bllokuar atë. Projektet tona për Unazën e Jashtme të Kryeqytetit, për ‘Sheshin Xhorxh Bush’, për Spitalin e Prishtinës, për Platformën Arbëri, për Nënkalimin në ‘Agim Ramadan’– u provuan të ndalen, jo nga mungesa e ideve, por nga inatet e ‘atyre’”, tha Rama.
Por, Rama tha se Prishtina nuk është bllokuar kurrë.
“Derisa ne kërkonim bashkëpunim për zhvillim, ata bënin kalkulime për bllokim. Derisa ne kërkonim fonde për Prishtinën, ata i mbyllnin derën Kryeqytetit. Por, Prishtina nuk është bllokuar kurrë. Përkundër tyre, asgjë s’e ndali ecjen tonë përpara. Asnjë intrigë, asnjë bllokadë, asnjë lojë e vogël politike s’mundi ta ndalë vizionin tonë për Prishtinën moderne. Sepse për ne, Prishtina është më e madhe se çdo interes partiak, ajo është përgjegjësi, është dashni dhe është detyrë”, tha Rama.