Unaza e Jashtme e kryeqytetit do ta zgjidhte problemin e trafikut të dendur në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, i cili s’mundi ta realizonte atë vetëm për shkakun që qeveria e Albin Kurtit nuk po ia mundësonte marrjen e një kredie në BERZH. Tani, ironikisht, ky plan i kandidatit të LDK-së, po konsiderohet “domosdoshmëri” dhe prioriteti “numër një” i Hajrulla Çekut, kandidatit të LVV-së për kryetar të Prishtinës.
Gazeta Express
Ndërtimi i unazës së jashtme në Prishtinë do ta çlironte trafikun në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, i cili po garon me LDK-në për një tjetër mandat.
Ky ishte premtimi kryesor në fushatën zgjedhore të para katër vjetësh, i arkitektit që erdhi nga Londra për t’i zgjidhur disa probleme në kryeqendrën e Kosovës.
“Projekti i parë i yni që e kemi kryer, e kemi përfundu, dhe ka qenë i gatshëm që të shkojë përpara, është Unaza e Jashtme. Është bllokada e kësaj qeverisjeje e cila e ka pamundësu”, thotë Rama tash, në një intervistë Pressing në T7 më 22 shtator.
Kjo tashmë do të ishte realizuar, thotë ai, por se s’u bë për shkak të qeverisë së udhëhequr prej Lëvizjes Vetëvendosje. Ky projekt, që Rama e cilësonte madhor edhe për Kosovën, s’mund të përballohej vetëm me buxhetin e kryeqytetit. Për projektin, ai thotë se i kanë siguruar 40% të fondeve që janë grant nga “komuniteti europian”.
Tash e dy vjet, Rama thotë se e kanë “të gatshëm” projektin, në pritje të vetëm “një nënshkrimi” nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Para rreth dy vjetësh, ai sqaronte se po kërkonin vetëm një “tick” nga Ministria e Financave për t’ia lejuar komunës marrjen e një kredie të butë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilën ai thoshte se kryeqyteti do të mund ta paguante vetë për 10-15 vjet. Garancioni nga qeveria nuk erdhi asnjëherë.
Ndërsa LVV-ja nuk e përfillte këtë projekt, Liburn Aliu, që drejtonte ministrinë e Infrastrukturës, e pranonte se ai ishte “shumë i rëndësishëm për shkarkimin e trafikut në kryeqytet”.
Rama, tha para disa ditësh se Aliu i kishte thënë se ku qëndronte pengesa.
“Me ish-ministrin tash të Infrastrukturës, në diskutimet tona, e kam pyet pse nuk po e nënshkruan ministri i Financave? Më ka thënë për fat të keq, s’mund ta shtyjë, por ai s’po do me e shty përpara se po thotë ‘pse me i ndihmu Përparim Ramës'”, tha ai më 25 shtator, në Rubikon në Klan Kosova.
Unaza që do të përfshinte 29 kilometra rrugë të jashtme të kryeqytetit, do të ishte projekti më i madh në historinë e Prishtinës.
Katër vjet më vonë, këtë e konsideron “domosdoshmëri” ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, kandidat i LVV-së për kryetar të Prishtinës, duke e klasifikuar projektin si prioritetin “numër një” të tij.
Tani që po synon t’ia zë karrigen Ramës, Çeku përmend “dialogun”, “marrëveshjen” e “konsensusin politik” në Komunën e Prishtinës.
Ai tha së fundmi se ka “vizion afatgjatë” për kryeqytetin dhe se kanë bërë projeksion se “si do të duket Prishtina e vitit 2035”.
“Unaza e Jashtme e Prishtinës është domosdoshmëri, është pjesë e zgjidhjes së problemit të trafikut në Prishtinë. Pra, përveç që kemi nevojë për rritje të flotës së autobusëve, përveç që kemi nevojë për korsinë e veçantë, për parkingje ‘park and ride’ në pikat e hyrjes, kemi nevojë edhe me përfundu rrugën A, edhe me e ndërtu unazën e jashtme të Prishtinës. Këto janë projekte të domosdoshme që trafiku i Prishtinës me u liru dhe ne të mund ta kemi një qytet që funksionon normalisht”, tha ai në një intervistë në ATV.
Shtylla e parë e vizionit të tij, thotë Çeku, është “qyteti funksional”, duke argumentuar se si kjo lidhet me prioritetin “numër një” të tij: zgjidhjen e problemit të trafikut, që del të jetë ajo çfarë Rama po e përsërit tash e katër vjet.