Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se sot në “takimin konstruktiv” me presidenten Vjosa Osmani e ka njoftuar atë për qëndrimet dhe bindjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi atë që ai e quajti “krizën e madhe politike në vend – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Abdixhiku tha se asaj ia ka shprehur brengën “për vonesat edhe procedurale edhe politike – të paprecedenta për Republikën – rreth formimit të shumicës; sikurse dhe brengën për veprimet arbitrare në Kuvend nga partia e parë, që fillimisht pamundësojnë votimin e lirshëm; e më pas, me vetëdije të plotë, refuzojnë të implementojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Abdixhiku tha se mirëpresin çdo takim e përpjekje për zgjidhje, por shtoi se “mbi të gjitha, ftojmë për përgjegjësi politike”.
Mosrespektimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Abdixhiku e quajti “përmbysje e rendit kushtetues”, ndërsa akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se duke pasë mundësitë për kompromis po insiston për krizë.
“LDK ka ofruar dhe zgjidhje; përtej vetes, deri tek uniteti. Insistimi në bllokadë me gjithë mundësitë për kompromis e arsyeshmëri, është insistim në krizë; gjersa mosrespektimi i Gjykatës Kushtetuese, në një çështje kaq jetike për shtetin – është përmbysje e rendit kushtetues. LDK e respekton në plotni vendimin e Gjykatës Kushtetuese; si gjithherë. LDK ka ofruar dhe unitet. LDK e njej krizën e tanishme. LDK kërkon arsyeshmëri politike”, ka shkruar Abdixhiku./Express/