Më 20 qershor, nga ora 10:00 në Galerinë 17 mbahet “Artists of the day after tomorrow” kuruar nga Miran Mohar dhe Fitore Isufi Shukriu, në të cilën përmblidhen punët e Çmimit “Artistët e së nesërmes” nga viti 2002 deri më sot.
Në vend që të fokusohet tek veprat ose artistët/et fitues/e, ekspozita vë në fokus ndikimin e këtij çmimi në zhvillimin e sistemit të artit në Kosovë. Pa dyshim, ky çmim, përveç iniciativave të tjera të rëndësishme (Exit dhe themelimi i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë), ka kontribuar shumë në faktin se interesi për artin bashkëkohor si nga artistët ashtu edhe nga publiku, në Kosovë është rritur. Që në fillim, komisioni i vlerësimit përfshinte përfaqësues/e nga skena e artit në Kosovë dhe bota ndërkombëtare e artit. Me kalimin e viteve, Çmimi i artistëve të rinj vizual (YVAA), një rrjet ndërkombëtar i çmimeve që vepron në Evropën Lindore, Qendrore dhe Jugore, u bë një pikë e ndritshme në zhvillimin e sistemit të artit në të gjitha këto vende të reja. Interesante, iniciativa erdhi nga “jashtë”, që do të thotë se institucionet e artit nga ish-Jugosllavia nuk kishin mjaftueshëm vetëdije, njohuri dhe burime financiare për të prodhuar vetë një çmim të tillë.
Të kesh një vështrim të brendshëm dhe të jashtëm të skenës së artit bashkëkohor në Kosovë, siç ofrohej nga juria ndërkombëtare, ishte e rëndësishme. Në një kohë kur artistët e Kosovës pothuajse ishin të shkëputur plotësisht nga bota e jashtme, këta ekspertë të huaj të artit erdhën në vend dhe u dhanë atyre informacione të dorës së parë reth artit bashkëkohor. Ata gjithashtu përhapën lajme pozitive për cilësinë dhe vitalitetin e skenës së artit në Kosovë. I njejti proces u përdor për të zgjedhur përfaqësuesit/et për paviljonin kombëtar në Bienalen e Venedikut.
Tani, artistët e Kosovës marrin pjesë rregullisht në ekspozita ndërkombëtare të mëdha.
Që skena e artit të funskionojë dhe të zhvillohet, është thelbësore që sistemi i artit të punojë në mënyrë efektive me institucionet kombëtare, artistët dhe iniciativat private. Kjo përfshin krijimin e një sistemi cilësor arsimor për të gjitha profesionet e artit, si dhe prodhimin e organizuar të ekspozitave dhe teorisë së artit. Gjithsesi, grantet duhet të jenë gjithashtu të disponueshme për artistët dhe profesionistët e tjerë të artit dhe veprat e artit duhet të blihen rregullisht për koleksionet publike dhe private. Pa një ekonomi arti funksionale, skena e artit nuk mund të shpresojë për sukses afatgjatë.
Fokusi i kësaj ekspozite është në atë, se si mund të ndërtohet dhe zhvillohet sistemi i artit. Pas çdo ndryshimi ose revolucioni pozitiv shoqëror, dita më e rëndësishme është ajo që vjen më pas, kur puna e përditshme e zakonshme duhet të kryhet larg vëzhgimit të publikut dhe medias.
Tahar Alemdar (2002), Jakup Ferri (2003), Kadër Muzaqi (2005), Fitore Isufi – Koja (2006), Fatmir Mustafa – Karllo (2007), Bekim Gllogu (2008), Miranda Thaqi (2009), Loreta Ukshini (2010), Astrit Ismaili (2011), Majlinda Hoxha (2012), Artan Hajrullahu (2013), Doruntina Kastrati (2014), Arbërore Sylaj & Dardan Zhegrova (2016), Meriton Maloku (2017), Qëndresa Deda (2018), Somer Şpat (2019), Brilant Milazimi (2020), Enxhi Mehmeti (2021), Agrina Vllasaliu (2022), Renea Begolli (2023), Mimoza Sahiti (2024).