Për dy dekada, sa kohë që ekzistojnë përmbaruesit, nga qytetarët, kompanitë dhe shteti me detyrim janë mbledhur më shumë se 2.220.000.000 euro. Të dhënat e përmbledhura për vitin 2025 tregojnë një rënie të mbledhjes së borxheve krahasuar me vitin 2024, ose realizim prej rreth 44% të kërkesave për arkëtim të detyrueshëm. Midis qytetarëve, ka një rritje vjetore të shumës së borxhit që është mbledhur përmes përmbaruesve, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Kompanitë janë borxhlinjtë dhe kreditorët më të mëdhenj, nga qytetarët janë mbledhur 50,8 milionë euro me arkëtim të detyrueshëm…
Në vitin 2025, me arkëtim të detyrueshëm janë mbledhur 137.368.058 euro përmes përmbaruesve, që paraqet një realizim prej 43,63% të kërkesave të pranuara për arkëtim, tregojnë të dhënat nga Raporti i ri mbi Punën e Përmbaruesve në vitin 2025.
Krahasuar me vitin 2024, shuma e mbledhur me detyrim është zvogëluar për 23.300.000 euro.
Pjesa më e madhe e mjeteve, ose pothuajse 63.500.000 euro, u mblodh nga “personat juridikë”, të ndjekur nga qytetarët, nga të cilët përmbaruesit mblodhën 50.866.200 euro, ndërsa në vendin e tretë është shteti, nga i cili me detyrim u mblodhën pothuajse 24.082.300 euro.
Në vitin 2025, nga qytetarët – borxhlinj u mblodh shuma historikisht më e lartë, duke tejkaluar për herë të parë shumën 50.000.000 euro. Konkretisht, analiza krahasuese e të dhënave e kryer nga “Portalb”-i tregon se vetëm për një vit, në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, shuma e mbledhur me detyrim është rritur për pothuajse 4 milionë euro. Midis kompanive dhe shtetit, ka një rënie në nivel vjetor në shumën mjeteve të mbledhura.
Personat juridikë, gjegjësisht kompanitë, renditen si “borxhlinjtë më të mëdhenj”, por edhe si kreditorët më të mëdhenj. Vitin e kaluar, përmes përmbaruesve kompanitë mblodhën me arkëtim të detyrueshëm mbi 105.000.000 euro. Nga ana tjetër, personat fizikë, gjegjësisht qytetarët si kreditorë, arkëtuan pak më shumë se 31.170.000 euro, ndërsa shteti, në rolin e tij si kreditor, me arkëtim të detyrueshëm mblodhi pothuajse 2.500.000 euro.
Gjatë një periudhe prej 20 vitesh, ose që nga fillimi i formimit të përmbaruesve deri në fund të vitit 2025, janë arkëtuar 2.220.801.014 euro.
Të dhënat nga Oda e Përmbaruesve tregojnë se shumat më të mëdha u mblodhën në vitin 2017, më shumë se 166.000.000 euro, në vitin 2024 mbi 160.600.000 euro dhe në vitin 2023 kur u mblodhën më shumë se 159.700.000 euro.
Sipas territoreve të mbuluara nga përmbaruesit, vitin e kaluar shuma më e madhe prej gati 70.000.000 eurosh është arkëtuar në Shkup, e ndjekur nga territori i Gjykatës Themelore të Manastirit dhe Gjykatës Themelore të Resnjës me gati 10.700.000 euro të mbledhura, ndërsa në vendin e tretë është territori i gjykatave në Veles, Gjevgjeli, Kavadar dhe Negotinë me 9.755.000 euro të arkëtuara.
Në territorin e gjykatave themelore në Gostivar dhe Kërçovë, përmbaruesit kanë arkëtuar pothuajse 8.303.000 euro, ndërsa vetëm në zonën e Gjykatës Themelore në Tetovë, për një vit, përmbaruesit kanë arkëtuar 6.115.500 euro në emër të kreditorëve.
Vetëm vitin e kaluar, kompanitë adresuan madje 160.971 kërkesa për arkëtim të detyrueshëm, nga të cilat 10.257 ishin kërkesa për përmbarim nga bankat, ndërsa 45.219 kërkesa për arkëtim të detyrueshëm erdhën nga ndërmarrjet komunale.
Në periudhën e kaluar, tema e përmbaruesve u bërë përsëri aktuale me paralajmërimin për ndryshime ligjore që duhet të sjellin digjitalizim dhe të rrisin efikasitetin e procedurës së përmbarimit.
Disa sindikata tashmë kanë kritikuar se duhen bërë ndryshime ligjore për të ulur shpenzimet që i paguan borxhliu.
tag_katrorimaqedoni_2