string(82) "perleshje-mes-strukturave-te-sigurise-ne-serbi-sistemi-i-vuciqit-jashte-kontrollit"

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 12:59

Përleshje mes strukturave të sigurisë në Serbi: Sistemi i Vuçiqit jashtë kontrollit

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 12:59

Për herë të parë në Serbi, në terren janë përplasur eskortat e zyrtarëve të lartë të shtetit – një incident që nxjerr në pah kaosin institucional dhe mungesën totale të koordinimit në sektorin e sigurisë, i cili, sipas ekspertëve, është shndërruar në vegël të pushtetit personal të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Ngjarja, që ndodhi mes eskortës së presidentit dhe asaj të kryeministres, është vetëm pasqyra më e re e tensioneve brenda vetë aparatit shtetëror. Përplasja nuk është komentuar nga institucionet përkatëse, por sipas burimeve të mediumit Radar, në video shihet një grua (dyshohet të jetë Suzana Vasiljeviq) që me fjalor vulgar deklaron se ndodhet në veturën e kabinetit presidencial. Ajo, sipas të njëjtave burime, nuk ishte nën mbrojtje të policisë ushtarake siç parashikon ligji për mbrojtjen e presidentit, por në shoqërim të një agjenti të BIA-s (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit).

„Kjo tregon se strukturat e sigurisë janë të fragmentuara dhe të ndara në klane që i përgjigjen vetëm pushtetit“, thotë për Radar Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd. Ai shton se „mungesa e koordinimit dhe ndjesia e paprekshmërisë që kanë njerëzit afër pushtetit është tregues i një sistemi që ka dalë jashtë kontrollit“.

Përplasja vjen në një klimë të rritur tensioni dhe pakënaqësie publike, veçanërisht pas incidentit në Nish dhe protestave të vazhdueshme qytetare kundër regjimit të Vuçiqit. Në këtë kontekst, Radar ngre pyetjen: si është publikuar videoja në rrjetet sociale?

„Nuk përjashtohet mundësia që videoja të jetë shpërndarë qëllimisht nga vetë njerëz brenda sistemit të sigurisë, të cilët duan të distancohen nga regjimi dhe të përgatiten për një jetë pas tij“, thotë Petroviq.

Ndërkohë, kujtohet një rast i ngjashëm nga viti 2014, kur njësitë e xhandarmërisë u përplasën me truprojat e vëllait të presidentit gjatë Paradës së Krenarisë – incident që përfundoi me suspendime dhe ndëshkime.

Në kuadër të gjithë kësaj, Radar raporton se shumë figura të larta të pushtetit, përfshirë ministrin e Shëndetësisë Zlatibor Lonçar, përdorin automjete dhe shoferë të BIA-s, të cilët shfrytëzohen edhe nga anëtarët e familjeve të tyre. Këto automjete, thuhet më tej, janë pjesë e “listave të bardha” që përjashtohen nga ndëshkimet për shkelje në komunikacion.