Kriza në Universitetin e Novi Pazarit po thellohet, pasi tensionet kanë shpërthyer që nga nata mes të hënës dhe të martës. Persona të maskuar përdorën dhunë për të larguar studentët nga ndërtesa e universitetit, duke shkaktuar një situatë kaotike.
Gjatë ditës së martë, studentët janë rikthyer në ambientet e universitetit, pasi policia – e cila fillimisht u vu në mbrojtje të sulmuesve – u tërhoq nga vendi i ngjarjes.
Pas këtyre zhvillimeve, kanë nisur edhe arrestimet e para. Për këtë situatë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Dua të them se në Novi Pazar kanë filluar arrestimet, sapo janë arrestuar katër persona. Katër prej tyre që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë së Serbisë dhe ndaj bashkëqytetarëve të tyre, dhe arrestimet do të vazhdojnë,” tha ai në një lidhje telefonike për televizionin proqeveritar Informer, raporton N1.
Pas një retorike të zakonshme, Vuçiq u adresua qytetarëve serbë në Novi Pazar, duke i ftuar për qetësi:
“Shteti është më i fortë se çdo grup dhunuesish,” theksoi ai.
Megjithatë, presidenti serb nuk e kurseu as një sulm të papritur ndaj Rasim Lajiqit, kryetarit të klubit të futbollit Partizani.
Gjatë intervistës, kur u pyet pse Ljajiq – i cili nuk ka funksion shtetëror, por udhëheq klubin dhe partinë që ka shumicën në Novi Pazar – nuk ka dërguar mesazhe paqeje, Vuçiq reagoi:
“Si nuk është funksionar shtetëror? Të jesh president i Partizanit është një nga dhjetë funksionet më të rëndësishme në vend. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu – këta njerëz janë pjesë e qeverisë, këta njerëz kanë një nga ministritë më të rëndësishme, këta njerëz drejtojnë agjenci të rëndësishme… mos u merrni me ato histori,” tha Vuçiq.
Ndryshe, Rasim Lajiq prej vitesh nuk mban asnjë funksion në Qeverinë e Serbisë.