Përleshja mes tifozëve në Prishtinë para ndeshjes Drita – Kopenhagën, policia merr situatën nën kontroll - Gazeta Express
string(101) "perleshja-mes-tifozeve-ne-prishtine-para-ndeshjes-drita-kopenhagen-policia-merr-situaten-nen-kontroll"

Futboll

Gazeta Express

29/07/2025 19:50

Përleshja mes tifozëve në Prishtinë para ndeshjes Drita – Kopenhagën, policia merr situatën nën kontroll

Futboll

Gazeta Express

29/07/2025 19:50

Një përleshje mes tifozëve ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në kryeqytet, pak para fillimit të ndeshjes së kthimit mes Dritës dhe skuadrës daneze FC Kopenhagen, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Kampionëve.

Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Kosovës, disa tifozë janë përfshirë në një përplasje fizike në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”, ku atmosfera ka qenë e tensionuar për shkak të interesimit të madh për ndeshjen dhe pranisë së shumë tifozëve të huaj dhe vendas.

Reagim i shpejtë i Policisë së Kosovës

Forcat policore kanë reaguar me shpejtësi, duke vënë situatën nën kontroll dhe duke ndërhyrë për të shpërndarë turmat dhe parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

“Sot rreth orës 19:00 ka ndodhur një incident, ku disa tifozë janë përleshur mes vete. Policia ka vënë situatën nën kontroll dhe janë duke u marrë veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes raportojnë për përdorim të sprayt nga policia, në përpjekje për të ndaluar përleshjen dhe për të garantuar sigurinë publike. Deri tani, nuk është raportuar për persona të arrestuar, por hetimet janë në vijim dhe pritet që autorët të identifikohen përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.

Një tifoz danez raportohet i alivanosur

Media të pranishme në vendngjarje, përfshirë emisionin Favorit dhe GazetaExpress, raportojnë se një tifoz danez është alivanosur gjatë incidentit dhe është trajtuar nga ekipet emergjente në terren. Gjendja e tij është stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Pavarësisht këtij incidenti, ndeshja pritet të zhvillohet sipas planit, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe respektim të rregullave nga të gjithë tifozët e pranishëm. /GazeteExpress/