Me rastin e përvjetorit të 27-të të rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit, janë bërë homazhe dhe u vendosën lule të freskëta në Memorialin e dëshmorëve në Gllanasellë.
“Idealet e tyre jetësohen me punë të ndershme, fuqizimin e shtetit e barazi para ligjit”, ka deklaruar Ramiz Lladrovci.
Postimi i tij:
27 vjet dhimbje e krenari, Feha e Xheva, bashkë në jetë, bashkë në përjetësi. Ata na udhëzuan se cila ishte rruga e lirisë, rruga e fitores, rruga e nderit me përkushtimin e pathyeshëm atdhetar.
Vitet, dekadat dhe shekujt do të rrjedhin, ndërsa liria jonë do të matet me flijimin epik që ia dhuruan kombit. Idealet e tyre jetësohen me punë të ndershme, fuqizimin e shtetit e barazi para ligjit.
Më 22 shtator 1998, me Fehën dhe Xhevën, rrugën e përjetësisë e morën Fatimja, Shefqeti, Behxheti, Milazimi dhe Hamiti.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!