Përkujtimet e një ish-nxënëseje të Gjimnazit “Sami Frashëri” dhe helmimit që ndodhi në vitin 1990 - Gazeta Express

Përkujtimet e një ish-nxënëseje të Gjimnazit “Sami Frashëri” dhe helmimit që ndodhi në vitin 1990

Ballina

Gazeta Express

19/01/2020 15:57

Selvije Makolli qe 30 vjet ka problem me aromat e deodorantëve dhe parfumeve, ku shpeshherë edhe nuk mund të mbajë mësim për këtë arsye. Kjo për shkak të helmimit që ka ndodhur kur ishte nxënëse në vitin 1990 në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

Velsa Dragusha*

Këto helmime ndodhën në pranverë të po atij viti, kur u helmuan mijëra të rinj, kryesisht nxënës.

 Gazrat toksike ishin lëshuar nga ana e qeverisë jugosllave dhe doktrinës serbe, ku qeveria jugosllave, asokohe, doli me kumtesë zyrtare, duke thënë se “e gjithë kjo ishte një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë.”

 Mendohet se emri i gazit është Dimetil Phosphodistionat.

Selvije Makolli është profesoreshë e matematikës në Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe ka qenë pjesë e këtij helmimi në një prej këtyre shkollave. Trauma e saj vërehet edhe nga nxënësit e saj.

Sipas ish-nxënëses së Selvijes, Albiona Bahtiri, një ndër rastet që i mban në mend është një rast në kohë dimri, kur nxënësit aksidentalisht e kishin tepruar me spërkatjen e deodorantëve dhe profesoresha kërkoi hapjen e dritareve për pastrimin e ajrit. “Bënte ftohtë. Kaq mbajmë në mend nga ajo orë”, tha ajo.

Profesoresha e pranon se akoma i praktikon këto metoda edhe me gjeneratat e reja. Vajza e saj është 10 vjeçe dhe e do shumë erën e parfumit që gjithashtu paraqet problem për jetën e përditshme të Selvisë.

Ajo thotë se vajza e saj është ende shumë e vogël për të kuptuar përse gjërat kanë ndodhur ashtu siç kanë ndodhur.

Në mars, nga skena që na e përshkruan Selvija, nxënësit po mbanin orë të gjeografisë me profesorin e asaj kohe, Ali Fejza.

Nxënësit ishin të liruar nga vlerësimi i zakonshëm meqë ish-nxënësja jonë kishte kërkuar leje për të mos e prishur notën.

Ndërkohë ajo dhe shumë nxënës filluan të ndienin një erë, të cilën e cilësonin si të mirë. “Ishte aromë e këndshme! Ne e quanim aromë portokalli, por kjo ishte vetëm tallje për nickname-in që ia kishim pas lënë profesorit”, thotë Selvija me një buzëqeshje në fytyrë.

Kështu, nxënësit filluan të merrnin frymë çdo herë e më shumë, duke mos u ngopur me atë aromë. Por, ata ndaluan menjëherë pasi ra përtokë shoqja e klasës, Valbona Jashari.

Të gjithë filluan të bënin panik dhe të mundoheshin ta ndihmonin. Ndërkohë, siç thotë Selvija, asaj i ra në sy ç’kishte jashtë nga dritarja, ku i pa të gjithë nxënësit dhe profesorët në oborr.

 Ali Fejza kishte thënë se nuk e dinte arsyen, por e tërë klasa doli jashtë për të parë se çfarë po ndodhte.

Aroma ndihej akoma dhe nxënësit po binin përtokë një nga një. Derisa mberritën në dalje, vetëm filluan t’i dëgjonim sirenat e ambulancës afër.

Të gjithë bërtisnin që të largoheshin sa më parë që të mundeshin, disa hiqnin rripat nga pantallonat  e tyre, i vendosnin në gojë, që të mos e thithnin helmin akoma të paemër, por prapëseprapë të arrinin të merrnin pak frymë nga vrimat e rripave.

“Atëherë policia nuk u jepte shumë rëndësi këtyre rasteve, meqë po ndodhnin në shumë shkolla, sipas meje”, thotë ajo. Edhe serbët i kishin quajtur shpeshherë për këto raste shqiptarët si “aktorë të Kanës!”

Dikur, pasi shumë nxënës arritën të dalin nga oborri i shkollës, Selvija, përderisa ishte duke ecur drejt vendndalimit të autobusëve, përballë hyrjes së “Sami Frashërit”, bie gjithashtu në tokë.

Kur ajo zgjohet, e sheh se gjendet në QKUK. “Pamja ishte e tmerrshme, qindra nxënës, pa vend për t’u shtrirë as për t’u trajtuar, prisnin në rend. Disa i shtrinin në tokë, disa i kontrollonin në këmbë”, tha ajo.

Sipas ish-nxënëses tani 47 vjeçare, doktorët i patën thënë që të priste katër ditë që të merrte një shiringë me ilaç nga një vend tjetër.

 Nuk kishte nxënës që kishin vdekur në Gjimnazin “Sami Frashëri” nga ky helmim, por të gjithë kishin mbetur me trauma.

“Kishte nxënës që thuajse çdo javë i binte përsëri të fikët. Kjo më trishtonte sa herë që ndodhte.” Selvija thotë se kishte edhe efekte të tjera anësore te fëmijët, disa prej vajzave ishin ënjtur dhe skuqur, duke qenë të detyruara të vishnin rroba për shtatzëna,  edhe pse nuk ishin shtatzëna.

Një hollës që vlen të përmendet është thika që u gjet në dollap të zëvendësdrejtorit nga policia gjatë hetimeve për këto helmime. Sipas Selvijes, kjo i bëri ata ta largonin fokusin e tyre nga helmimet dhe ta vinin menjëherë te fakti se zëvendësi po mbante thikë. Kjo punë përfundoi shpejt, meqë Selvija tani dhe atëherë e dinte se nga kishte ardhur ajo thikë.

“Ishte një vajzë në shkollën time, e cila kishte provuar ta vriste veten me anë të asaj thike dhe disa pilulave. Kjo është një histori tjetër, mirëpo si përfundim, unë e shpëtova atë vajzë dhe thikën ia pata dorëzuar zëvendësit Avdyl Gashi”, shtoi ajo.

Ky krim akoma ka mbetur i padënuar dhe nxënësit atëherë dyshonin se fajtorët ishin paralelet serbe që mbanin mësim në mëngjes.

Sipas Selvijes, për t’i tejkaluar traumën dhe netët e pagjuma pas helmimeve, ka ndihmuar shumë që të përhapej kjo temë dhe të mos ngurronte që ta ndante atë me njerëzit përreth, përfshirë edhe nxënësit e saj.

*Velsa Dragusha është studente e Departamentit të Gazetarisë në UP.