Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete. Raporti thekson presionin politik ndaj mediave, bojkotet qeveritare dhe sulmet ndaj gazetarëve. AGK e ka cilësuar këtë renditje si alarmuese dhe pasojë e një klime armiqësore ndaj lirisë së medias.
Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Raporti gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.
Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Sa i përket ligjit për KPM-në – tashmë i shfuqizuar – nga Reporterët pa Kufij ai u cilësua si kundërthënës që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave.
Në janar, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i kërkuan Vetëvendosjes të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.
Vetëvendosje kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.
Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.
“Para zgjedhjeve të përgjithshme, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim sa i përket qasjes në informacione publike, veçmas në gjuhën e tyre”, u tha në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Më 2023, numri ishte më i lartë, 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.
“Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale”, u tha në raport.
AGK: Rënie e re alarmuese e Kosovës në raportin e Reporterëve pa Kufij
Për këtë raport, ka shprehur shqetësime të mëdha edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK është alarmuar nga kjo rënie të re, drastike të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.
“Nga vendi i 75 ku kishte zbritur vitin e kaluar, kjo organizatë për vitin 2025 e renditë Kosovën në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete, për të cilat e bën matjen. Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut”. Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur”.
‘Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.
Aty përmenden edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.
AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje.
AGK-ja i fton të gjithë akterët institucionalë e të shoqërisë civile për punë të përbashkët, duke përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave.
Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.
Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta – përshkruhet nga konfliktet e interesit.
Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.
Raporti thekson gjithashtu se media të pavarura në Evropë dhe në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse.
Raporti përmend, ndër të tjera, edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.
“Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump – veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] – kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, veçanërisht në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion dhe luftë”, thuhet në raport.