Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas përjashtimit të gjashtë punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga moderimi i emisioneve, të cilët kanë deklaruar se janë paralajmëruar sa herë që kanë intervistuar përfaqësues të pushtetit.
Në reagimin e tij, Hoti e ka quajtur këtë veprim censurë dhe shkelje të parimeve të një mediumi publik të pavarur.
“Po i censurojnë gazetarët që e kritikojnë pushtetin, ndërkaq i favorizojnë ata që i miklojnë ministrat në intervista. Kjo qasje është e papranueshme, është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur. Kjo qasje zbatohet në mediumet publike të regjimeve jodemokratike”, ka deklaruar ai.
Tutje, deputeti i LDK-së theksoi se vendimet e tilla përbëjnë shkelje ligjore dhe se përgjegjësia do të jetë e pashmangshme.
“Ata zyrtarë të lartë të RTK-së, që po i marrin këto vendime, e dinë se po bëjnë shkelje ligjore. Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë. Por ligjit nuk i shpëtojnë, sado me vonesë. Lista është bërë e gjatë e atyre që do të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje”, ka shtuar Hoti.