Në librin “Fillimet” i autorit Preç Zogaj, një prej protagonistëve të ngjarjeve që kulmuan me rënien e diktaturës komuniste në fillimet e viteve ‘90, një hapësirë të veçantë zë dalja e numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, gazeta e parë pluraliste në vendin tonë.
Rruga e vështirë që u ndoq dhe peripecitë që hasi “Rilindja Demokratike” nga ideja që u hodh më 19 dhjetor 1990, vetëm një javë pasi ishte pranuar pluralizmi, deri te dalja e numrit të parë më 5 janar 1991, zbulohen përmes rrëfimit në librin “Fillimet” të Preç Zogaj, në ato ditë historike për autorin si nismëtar i themelimit të PD, por edhe në rolin e drejtorit të gazetës së parë që do t’i hapte rrugën medias së lirë e të pavarur në Shqipëri:
Preç Zogaj
Peripeci të krijimit të gazetës
Mbledhja e parë e Këshillit Botues të gazetës “RD” u zhvillua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishin Kujtim Çashku, Petraq Kolevica, Mitro Çela, Natasha Lako, Teodor Keko, Edi Hila, Ajet Haxhia, Ilirian Zhupa. Atje paraqita kandidaturën e Frrok Çupit në detyrën e kryeredaktorit, që u miratua nga të gjithë dhe bëra prezantimin e studentëve që do të punonin si gazetarë të brendshëm të gazetës. Në të njëjtën sallë do të zhvillonim edhe mbledhjen e parë të redaksisë.
Në disa zyra dhe vektorë të administratës së kohës mbështetja e opozitës ngjante të ishte një imperativ, për të mos thënë “një detyrë partie” sipas kuptimit që kishte atëherë kjo shprehje. Retorika e pakthyeshmërisë së demokracisë dominonte fjalimet e Presidentit. Shumë prej zyrtarëve të kohës e merrnin si direktivë dhe i përshtateshin me veprimet e tyre kësaj retorike.
Dhe po të llogarisim këtu edhe vetëdijen e zyrtarëve të kulturuar për domosdoshmërinë e ndryshimeve, do të mund të dallojmë jo vetëm ekzistencën por edhe emocionet e një meraku intelektual dhe atdhetar mu në zyrat e disa institucioneve për forcimin e opozitës. Ishte shumë domethënëse pritja që na rezervoi mua dhe Frrok Çupit ministri i Kulturës Alfred Uçi, një estet dhe studiues i shquar i letërsisë. Bashkë me Frrokun qemë detyruar të kërkonim ndihmën e këtij ministri për të na mundësuar shtypjen e gazetës.
Në atë kohë shtypshkronjat ishin të gjitha shtetërore dhe redaksitë e gazetave financoheshin nga buxheti i shtetit. Nuk ekzistonte koncepti i kontratës. Redaksitë bënin gati lëndën, shtypshkronja shtypte në bazë të tirazhit të përcaktuar për çdo gazetë, që dilte nga shuma e numrit të abonimeve plus një sasi e kufizuar për shitje nëpër libraritë e vendit. Redaksitë nuk kishin punë me paranë. Llogaritë për letrën, lastrat, plumbin, energjinë elektrike, punën e topografëve, rrogat e gazetarëve, honoraret e bashkëpunëtorëve, e tjerë, rregulloheshin brenda për brenda piramidës shtetërore. Si do të dilte në këto kushte një gazetë e re që nuk ishte në sistem, nuk ishte shtetërore, nuk ishte parashikuar në buxhetin e shtetit si gazetat dhe revistat e tjera. Ja, kjo ishte pyetja kyçe, se cilës, në stabilimentin “Mihal Duri” të shtypshkronjave, nuk i jepte kërkush përgjigje. Me gjithë dëshirën e mirë të ndonjë drejtuesi apo tifon e shumë tipografëve për opozitën. “Paguajmë”, thoshnim ne. “Do të mbledhim lekët e shitjes së gazetës dhe do të paguajmë”. “Por, por ne e kemi të ndaluar të paguhemi kështu siç thoni ju. Nuk jemi në kapitalizëm këtu”, ishte përgjigja.
Vetëm Ministria e zgjidhte. Më saktë, vetëm Ministri. Shtypshkronjat e kombinatit Poligrafik ku shtypeshin librat e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe shumica e gazetave të kohës, si “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Puna”, “Mësuesi”, “Luftëtari” vareshin nga Ministria e Kulturës. Ministri Alfred Uçi na priti në zyrë me mirësjellje dhe njerëzi. Rreth të gjashtëdhjetave, i gjatë, i mbajtur, me një fytyrë të gdhendur prej fisniku dhe intelektuali, ai nuk kishte asgjë të përbashkët në paraqitje me tipologjinë e zyrtarit të ngurtë të regjimit. Tërhiqte vëmendjen me veshjen shik, me lëvizjet e ngadalta, me pamjen impozante ku binte në sy balli i lartë i shpërvjelur. E dija se ishte nipi i atdhetarit të përmendur Petro Nini Luarasi. Ky fakt m’i kishte ngatërruar kohët sa herë që më ishte dhënë rasti të merrja pjesë në mbledhje ku merrte pjesë edhe ai.
Më ishte dukur si dikush që qëndronte midis rilindjes dhe aktualitetit; më kishte ardhur disi çudi që e kishin bërë ministër në një qeveri të Partisë së Punës, për të cilën mendoja se e konsideronte traditën një kushërirë fort të largët. Tani që po bisedoja për herë të parë shtruar, kokë me kokë dhe nga një pozicion i ri me këtë ministër, që ishte shefi im i madh ndërkohë, përshtypja e shpërputhjes së imazhit të tij me regjimin m’u forcua akoma me shumë. Ishte entuziast për opozitën dhe i dëshironte një të ardhme të mirë asaj. Çfarë problemi kishim? Shtypjen e gazetës se re? Do të rregullohet edhe kjo punë. Tani jemi në pluralizëm. Posaqë shtypet “Zëri i popullit”, do të shtypet edhe gazeta e Partisë Demokratike. Nuk mund të ketë diferencime. Më vjen mirë që i keni dalë ju për zot. Besoj se do të jetë një gazetë e mirë, e drejtë, e ndershme, kombëtare më shumë se partiake në atë kuptimin e ngushtë të fjalës. Si thatë do ta ketë emrin? Ah, e paska pagëzuar Rexhep Qosja! Shumë mirë, shumë mirë!
Filloi të më dukej me shumë si i yni, domethënë si demokrat në kuptimin e përkatësisë së re politike. Pse jo, po thosha me vete kalimthi. Shpallja e pluralizmit i ka anulluar përkatësitë e deridjeshme partiake në partinë e vetme shtet, pra e ka rikthyer në pikën e nisjes dëshirën e secilit për të zgjedhur partinë e zemrës. Pse të mos jetë Uçi me ne? Pse të mos pretendojë PD përkatësinë në bllok në radhët e saj të traditës parakomuniste? Pse të mos pretendojë PD përkatësinë në bllok të elitës, gjithashtu, pavarësisht se ku e ka zënë hera në momentin e ndarjes së epokave? Gjatë dy-tre viteve të fundit Ramiz Alia kishte thirrur në qeveri dhe në administratën e lartë disa fytyra “atipike” në raport me klishetë e mëparshme, njerëz të shkolluar jashtë Shqipërisë, si Skënder Gjinushi; ndërtues të mëdhenj e të ditur, si Farudin Hoxha dhe Ismail Ahmeti; inxhinierë të rinj me stof intelektual, si Pandi Carapuli apo edhe vetë profesor Uçin. Po lëvizte vija ndarëse midis komunistëve dhe “antikomunistëve”.
Të parët po bëheshin më pak komunistë, duke e hapur qeverinë dhe administratën e lartë ndaj intelektualëve dhe teknicienëve pa parti. Të dytët rrezikonin të imitonin komunistët në revanshizmin e tyre të përligjur nga shtypja e gjatë. Kujdes! Kujdes! Alfred Uçi ishte një zyrtar tipik që na donte të mirën, me zemër mund të ishte me ne, por emrin e kishte në anën tjetër, ama!
Më vonë do ta merrja vesh se në fillim të nëntorit të vitit 1990, disa javë përpara se të plaste në qytetin “Studenti”, ministrat Alfred Uçi, Skënder Gjinushi, Ismail Ahmeti, Pandi Carapuli kishin bërë një akt të panjohur për zakonet politike komuniste: kishin kërkuar me shkrim dorëheqjen nga qeveria “Çarçani”, për t’i hapur rrugë një ndryshimi më të shpejtë e më të plotë në vend. Dorëheqjet e tyre nuk ishin pranuar as nga Ramiz Alia, as nga Adil Çarçani, madje ishin refuzuar me nervozizëm prej tyre si akte kapitulluese dhe destabilizuese në kohë të vështirë. Këta ministra e kishin përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqje edhe gjatë ditëve të Lëvizjes së Dhjetorit, pa u trembur nga akuzat se po kërkonin të rrëzonin qeverinë. Akti i tyre ishte mbajtur sekret. Unë nuk e dija se po bisedoja me një ministër që nuk ishte më me zemër anëtar i qeverisë “Çarçani”.
Kishte një “anomali”, më saktë dy të tilla, në kërkesën tonë dhe në gatishmërinë e ministrit për të na ndihmuar. Ne i kërkonim një anëtari të qeverisë të na jepte lynotip dhe letër për të shtypur një gazetë kundër qeverisë. Ai e kishte marrë shumë seriozisht këtë kërkesë dhe po shqyrtonte hapësirat teknike për ta plotësuar. Kjo ishte anomalia e parë. Anomalia e dytë lidhej me statusin tonë të dyfishtë, si opozitarë dhe, njëherësh, si punonjës të shtetit në sistemin e Ministrisë së Kulturës. Me fjalë të tjera, dy opozitarët në zyrën e ministrit ishin dhe dy vartës të tij të nivelit të mesëm me të cilët nuk ishte takuar ndonjëherë. Kjo rrethanë mund t’i siguronte zotit ministër një epërsi të shtuar psikologjike ndaj nesh, gjë që në fakt nuk e manifestonte me asnjë gjest. Mirësjellja e kishte veshur fund e krye qëndrimin e tij. Nga ana tjetër ishim të vetëdijshëm se kishim në krahun tonë frymën e kohës, kursin e ngjarjeve, por ishim dhe ne po ashtu të sjellshëm e të edukuar sa të mos e manifestonim këtë gjë si amatorë. Formalisht, përpara ligjit Partia Demokratike ishte e barabartë me Partinë e Punës.
Gazetë shtypte Partia e Punës. Gazeta shtypnin levat e saj, Rinia, Bashkimet Profesionale, Fronti. Gazetë kërkonte të shtypte edhe Partia Demokratike. Pra ne kishim të drejtë, nuk kishim shkuar për një nder, ca më pak për lëmoshë. Por Ministri, po të donte, kishte në dorë të na zvarriste duke na thënë se “Zëri i Popullit” kishte shtypshkronjën e vet që nuk varej prej tij, se ne kishim të drejtën të shtypnim gazetën tonë atje ku shtypej “Zëri i Rinisë”, “Drita” apo “Bashkimi”, por kjo kërkonte studimin dhe planifikimin e kapaciteteve, forcave të punës, lëndës së parë, marrëdhënieve të reja mes porositësit dhe prodhuesit në kushtet e rregullave të reja të ekonomisë së tregut, e tjerë, e tjerë. Mund të na sorollaste edhe me mënyra të tjera, duke ia hedhur topin herë drejtorisë së Poligrafikut, herë Ramiz Alisë, – “një vendim si ky shkon përtej postit të Ministrit të Kulturës”, – duke na detyruar të shkonim e të linim peng edhe një dozë tjetër të antagonizmit e vrullit tonë te Ramiz Alia.
Në një skenar klasik, ai duhej të na kërkonte dorëheqjen të dyve para se të fillonte bisedën me ne. Ose të na shkarkonte. Kuptohet, ai as që na la të kuptonim se e dinte ku punonim e ku paguheshim ne të dy. U muar me thelbin e problemit, të cilin e zgjidhi në ditët në vijim përmes një vendimi të posaçëm të qeverisë “Çarçani”. Gazeta “RD” do të kishte statusin e gazetave e “Zëri i rinisë”, “Drita” dhe “Puna” që shtypeshin të gjitha te shtypshkronja e gazetave pranë Kombinatit Poligrafik.
Në rrugën e saj drejt flanit të parë dhe derdhjes së parë, gazeta “RD” do të kalonte nëpër një mori pengesash e vështirësish të vogla, nga ato që të hanë shpirtin, të presin krahët e të helmojnë gjakun. Papritur, pas entuziazmit të fillimit për vendosjen e pluralizmit dhe themelimin e Partisë Demokratike kishte filluar diferencimi dhe rreshtimi partiak i njerëzve. Ata që kishin qenë, ishin apo do të bëheshin me Partinë e Punës, burokratë, drejtorë ndërmarrjesh, përgjegjësa repartesh apo edhe punëtorë të thjeshtë po silleshin gjithnjë e më qartë si palë kundërshtare. Në ndërmarrjet e kryeqytetit, në spitale, në shkolla dhe kudo strukturat puniste kishin nisur verifikimi “kush është me ne dhe kush është kundër nesh”, domethënë me PD. Në këtë atmosferë erdhën pengesat reja për shtypjen e “RD”-së. “Po letra? Po flanet? Po oraret? Nuk e përballojmë dot me të njëjtët punëtorë, nuk e përballojmë me rrotativët që kemi, duhet të heqim ndonjë gazetë ekzistuese pa t’i hapim vend të resë”.
Shtypshkronja s’kishte linotyp për të radhitur një gazetë që po futej si pykë. S’mund të prishnin radhën për ne. S’mund të detyroheshin linotypistët të punonin jashtë orarit. Me nerva të dobësuara nga këto yçkla, që nuk ishin krejt pa baza, m’u desh të kthehesha edhe njëherë në zyrën e ministrit Alfred Uçi. Kësaj radhe nuk e gjeta në formë si herën e parë, por u mbush me hidhësi kur e vura në dijeni për pengesat e reja. Foli me dikë në telefon, të cilit i tha me ton se kishte një urdhër të firmosur nga kryeministri dhe ministrit i Kulturës për shtypjen e gazetave të reja të opozitës dhe sindikatave. “Çojeni gazetën, më njoftoni kur ta çoni”, më tha në inercinë e zemërimit me personin më të cilin kishte folur.
Përgatitja e numrit të parë
Meqenëse vonesat na kishin përplasur me festat e Vitit të Ri, vendosëm që numrin e parë ta çonim në shtyp më 4 janar 1991. Pjesën kryesore të lëndës e kishim mbledhur, ndërkohë, me Frrokun dhe studentët që kishim angazhuar si gazetarë. Tashmë kishim edhe një zyrë redaksie në godinën modeste që i ishte dhënë Partisë në rrugën “Fortuzi”. Atje, në shkallët e ngushta dhe zyrat e vogla të asaj godine kryqëzoheshin, hynin, dilnin, bisedonin, diskutonin, debatonin, replikonin, grindeshin e pajtoheshin nga mëngjesi në mbrëmje vonë lloj-lloj njerëzish, themelues të Partisë së re, anëtarë të komisionit nismëtar, nismëtarë të krijimit të degëve në rrethe, gazetarë shqiptarë dhe të huaj, të afërm të të burgosurve politikë që nuk ishin liruar akoma nga burgu, ish të burgosur e të persekutuar politikë të liruar më parë, studentë, të papunë, shkrimtarë dhe artistë të goditur nga regjimi apo me cene në biografi, ish-pronarë të vjetër nga Tirana dhe nga rrethet që vinin për të pyetur çdo të bëhej me pronat e tyre të sekuestruara nga regjimi, dokumentat e të cilave i kishin ruajtur me kujdes në sepete, në hatllat e shtëpive, a kush e di ku.
Nuk besoj se kishte në Tiranë një ndërtesë me dendësi më të madhe vizitorësh se sa ajo godinë e vogël ku ishin rrasur Partia dhe redaksia. Ishte e pamundur të punoje, të shkruaje, ose të redaktoje atje, mes zhurmave, hyrje-daljeve dhe tymit të dendur të duhanit që endej si re shkallëve, korridorit dhe zyrave të vogla. Ajo ishte një pikë e madhe kontakti me Shqipërinë tjetër, me Shqipërinë e panjohur më parë, me Shqipërinë që kishte pritur lindjen e një alternative të re politike. Atje vinin valë-valë, si në Mekën e tyre të re, shumica e të burgosurve politikë që liroheshin ato ditë nga burgjet. Disa prej atyre që ishin nga Veriu dhe kishin qenë në burg në Jug apo ishin nga Jugu dhe kishin vuajtur dënimet në Veri, e bënë zakon të ndaleshin te selia PD-së dhe “RD”-së para se të shkonin në shtëpitë e tyre. Kishte prej tyre që vinin thjesht për të parë dhe për të qarë, pa thënë asnjë fjalë tjetër.
Koha shtërngoi për ne në ditët e para të vitit të ri. Gazetarë, anëtarë të këshillit botues, anëtarë të komisionit nismëtar, miq të mi, miq të Frrokut dhe studentëve të angazhuar si gazetarë hynin e dilnin pa pushim në redaksinë-zyrë. Në kuptimin e materialit të mbledhur “gazeta” e re, jo e plotë sigurisht, ndodhej në një si dosje pune të kryeredaktorit. Kishim dashur e donim të kishim sa më shumë tituj dhe emra në gazetë. Numri i parë duhej të ishte edhe njëlloj vitrine e lidershipit politik dhe mbështetjes intelektuale të forcës së re.
Nga Rexhep Qosja, që kishte reputacionin e një ikone të intelektualit antikonformist dhe atdhetar, kishim marrë me faks një përshëndetje të posaçme për numrin e parë. Ikona tjetër e Lëvizjes demokratike, Ismail Kadare, nuk mund të mungonte në faqen e parë të numrit të parë të RD-së. Ishim përpjekur të lidheshim me të por nuk ia kishim dalë. Atëherë vendosëm të botonim deklaratën që kishte bërë me rastin e largimit nga Shqipëria. Tekstin e kësaj deklarate dhe një foto të shkrimtarit e solli Blendi Fevziu nga shtëpia e tij. Një përshëndetje për numrin e parë kishim marrë, me kërkesën tonë, edhe nga shkrimtari tjetër i shquar, Dritëro Agolli.
Patën debate në zyrën-redaksi për ta botuar apo jo përshëndetjen e tij. Arben Imami na kujtoj se Agolli nuk e kishte përshëndetur lëvizjen studentore. Unë nuk e kisha venë re këtë hollësi. Në përgjithësi nuk bija dakord me kritikat e serta dhe sulmet e kohëve të fundit në adresë të Agollit, sikur ky kishte qenë dhe ishte dogmatik, shërbëtor i regjimit, e tjerë. Ai kishte qenë dhe ishte një shkrimtar i madh dhe një kryetar liberal i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Kishte ndihmuar për t’u regjistruar në shkollë të lartë sa e sa letrarë të rinj që pengoheshin nga kriteret politike të “biografisë së keqe”, përfshirë mua. Me autoritetin e tij kishte mbështetur e rritur rëndësinë e gjithë poetëve dhe artistëve të talentuar në provinca. Shumë prej tyre i kishte ndihmuar të transferoheshin me punë në Tiranë. Ai na kishte dhënë hapësirë dhe mbrojtje në të gjitha konferencat letrare ku kishim kërkuar të thyenim klishe dhe tabu. Unë nuk mund t’i harroja këto dhe kisha bindjen se pavarësisht se në cilën parti do të qëndronte, ai do të mbetej kurdoherë një humanist. Ndaj nuk mund të pranoja që përshëndetja e tij të mos botohej. Nëse kishte qenë kundër Lëvizjes, gjë që unë nuk e dija atëherë, (më vonë do të mësoja se në plenumin e Komitetit Qendror në datë 11 dhjetor kishte mbështetur me forcë dhe pa asnjë ekuivok pluralizmin), me përshëndetjen që na kishte dërguar kishte kapërcyer mbi paragjykimet e tij dhe ishte dëshmuar një njeri i lirë. Ne, forca e re, nuk mund të gjykonim me standartet e vjetra, nuk mund të ishin më pak të hapur se vetë Agolli. Në fund të fundit, në diktaturë, asnjë njeri, sado i mirë të jetë, nuk mund t’i ndihmojë të gjithë të privuarit nga të drejtat. Për të gjykuar për këtë njeri, arsyeja e shëndoshë na thotë t’i numërojmë të mirat që ka bërë dhe jo çfarë nuk ka mundur të bëjë. Çdo gjykim tjetër është të rehabilitosh diktaturën sikur nuk është ajo fajtorja e persekutimit të njerëzve. Me çerekun e këtyre argumenteve unë mbrojta botimin e përshëndetjes së Agollit në numrin e parë të “RD”-së. Pala kundërshtare “fitoi” mosbotimin e fotos së shkrimtarit. Ky ishte “kompromisi”. Teksti po, fotoja jo. Blendi Fevziu do të shkruante më vonë se kur do ta shihte Dritëro Agollin duke u përballur me nostalgjikët e komunizmit në Kongresin e transformimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste në qershor të atij viti, do t’i vinte shumë keq që numrin e parë të RD-së fotoja e Dritëro Agollit nuk ishte botuar përbri përshëndetjes së tij, njëlloj si fotot e Kadaresë dhe Qoses.
Nga Sali Berisha kishim përzgjedhur fjalimin e tij në mitingun e legalizimit të PD-së më 22 dhjetor. Do të botohej për herë të parë i plotë në një gazetë shqiptare. Pashkos i morëm një intervistë ekskluzive. Ishte i vetmi tekst i numrit të parë ku goditej me emër Enver Hoxha, teza e tij e njohur dhe e marrë mbi të cilën kishte projektuar izolimin e Shqipërisë “bar do të hamë por parimet e marksizëm-leninizmit nuk i shkelim”. Mjaftonte sa për fillim. Shumë prej të burgosurve politikë të kohës më kanë rrëfyer më vonë se gjëja e parë që kishin kërkuar në morinë e germave dhe frazave të numrit të parë të gazetës së se re kishte qenë emri i Enver Hoxhës. Goditjen e tij, qoftë edhe në një formë të matur, të përligjur për kohën, e kishin konsideruar një gur prove të opozitarizmit të ri, një vijë demarkacioni midis Partisë se re Demokratike dhe Partisë së vjetër të Punës. Dhe kur e kishin gjetur në intervistën e Pashkos, kishin marrë frymë me shpresë të shtuar dhe kishin menduar apo shqiptuar pak a shumë fjalinë që u kishte thënë i burgosuri politik Spartak Ngjela shokëve të tij për grupin e ri politik që kishte lindur në Tiranë: “U dallohet ndrojtja, por janë opozitarë”.
Të burgosurit, me të drejtë, e kishin me Enver Hoxhën. Ky kishte qenë diktatori, tirani. Por gazeta, qysh në numrin e parë, pluskonte opozitarizëm në çdo material. Aurel Plasari, një përkthyes i talentuar, debutoi me një artikull për Gjergj Fishtën, poetin kombëtar të ndaluar, anatemuar dhe profanuar për së vdekuri nga regjimi i Hoxhës. Unë botova artikullin politik “Partia Demokratike nuk është macja e zezë”, Frroku shkroi kryeartikullin.
Me porosinë time, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku dhe Ben Blushi kishin dorëzuar për botim një reportazh të plotë për lëvizjen studentore. E kishin shkruar shumë bukur, të vetëdijshëm se po i përcillnin publikut shqiptar për herë të parë me shkrim një pamje të gjerë të ngjarjeve që kishin ndryshuar historinë. Reportazhi ishte i gjatë dhe s’mund të ishte ndryshe. Frroku më tha se duhej shkurtuar për arsye vendi, por unë nuk e mora përsipër. Atëherë e “qethi” vetë, jo pa dhimbje. Thirri edhe Blendin për ta ndihmuar më duket.
Për të bërë planfaqosjen e numrit të parë të gazetës kërkuam ndihmën e Remzi Lanit, kryeredaktorit të gazetës “Zëri i rinisë”. S’kishte dritë në zyrën e redaksisë sonë dhe u detyruam të shkojmë te kafeneja e Pallatit të Kulturës. Kur gjithçka dukej se po shkonte mbarë më në fund, odisesë sonë i ishte rezervuar edhe një pengesë tjetër. Shtypshkronja nuk kishte mundësi të rradhiste atë ditë gazetën e re. Kishte pësuar defekt një linotyp apo nuk po vinin dot në punë një linotyp shtesë, këtë hollësi nuk e kuptuam mirë. U bëra tym kur ma thanë. Mendova se dikush kërkonte të na vononte përsëri. Kushedi çfarë kishin në kokë. Bëra fjalë me njërin prej drejtorëve të shumtë të Kombinatit Poligrafik, i tregova urdhrin e Kryeministrit Çarçani dhe Ministrit të Kulturës, Uçi, ma ktheu se nuk ishte kundër urdhrit, “por ju e njihni shtypshkrimin, s’bëhet me gishta”.
“Ta merr mendja se kryeministri dhe ministri që kanë lëshuar urdhrin mendojnë se bëhet me gishta”?
“Ju lutem, ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen”.
“Sot”!
“Sot nuk besoj”.
“Sot”! bërtita unë dhe bëra të dal. Mendova ta mbaj frymën edhe njëherë në zyrën e ministrit të Kulturës, por s’qe nevoja sepse një drejtor tjetër (nuk kuptohej mirë se kush e bënte ligjin tamam në atë kombinat si hieroglife kineze), propozoi ndërkaq një zgjidhje provizore që ia kishte bërë me dije edhe Frrokut: gazeta të radhitej në katin e tretë të shtypshkronjës së librit artistik dhe prej aty faqet në plumb të transportoheshin dorazi në repartin e rrotativëve të shtypshkronjës së gazetave në një ndërtesë tjetër. Ishte një zgjidhje e rrezikshme.
Faqet prej plumbi të shtërnguar me korniza hekuri peshonin jo pak, por ishin edhe shumë delikate. Mund të liroheshin, të hapeshin dhe të derdheshin për tokë nga pakujdesia më vogël. Nga përvoja e punës në gazetën “Zëri i rinisë” e dija se edhe kur i lëviznin brenda repartit këto lloj faqesh për t’i çuar në flan tipografët i merrnin me shumë kujdes me pirunj. Merrej me mend sa e pasigurt ishte t’i zbrisnim me krahë natën nëpër shkallë. Por ishte zgjidhje gjithsesi. Pranuam sepse nuk donim të vonoheshim më.
Shtypja dhe dalja e numrit të parë
Katër janari ishte një ditë e jashtëzakonshme për gjithë redaksinë. Minutat dhe orët sikur fluturonin me shpejt se çdo herë tjetër. Anëtarë të Komisionit Nismëtar të PD-së, Berisha, Imami, Pashko, Hajdari… vinin e shkonin në shtypshkronjë për të parë ç’po bëhej. Ishin të emocionuar edhe ata. Linotipistët dhe radhitësit e shtypshkronjës së librave u treguan shumë të dashur e bashkëpunues me ne. Njëri prej tyre preu njërin gisht nga pakujdesia. Pashë gjakun që po i rridhte, më erdhi shumë keq, por ai ma ktheu se ishte një ogur i mirë për gazetën.
Vonë, aty afër mesnatës, filluam transportimin e faqeve të radhitura në plumb nga kati i tretë i shtypshkronjës së librave në katin e parë të shtypshkronjës së gazetave disa metra me tutje. Në shkallët e brendshme të ndërtesës ishte errësirë. Asnjë llampë e ndezur. Mua më lanë të bëja dritë me një si pishtar të sajuar me letra të zhubrosura. Tipografët dhe gazetarët që mbanin faqet zhvendoseshin nga njëra shkallare në tjetrën të heshtur, ngadalë, me shumë kujdes.
Pas këtij “udhëtimi” me gjak të ngrirë, të gjitha faqet mbërritën shëndosh e mirë në shtypshkronjën e gazetave. Atje u stampuan në flan, u derdhën në plumb, u mbërthyen në rrotativ dhe ja ku erdhi momenti për t’ dhënë startin gazetës së parë të lirë në Shqipëri pas gjysëm shekulli. Ofsetisti i turit shtypi butonin, ingranazhi groteskt i rrotativit u vu në lëvizje ngadalë, me gulshe që erdhën duke u fashitur derisa të gjitha pjesët e makinerisë u vunë në akord si një orkestër. Kopjet e para dolën si zakonisht “me rrudha” dhe njolla boje. Ishin skarcitetet e përhershme të startit. Dy -tre minuta me vonë tërhoqa nga rrotativi një kopje të mirë, të cilën e shpalosa mes thirrjeve të gëzuara të stafit dhe disa punëtorëve që kishin pritur bashkë me ne daljen e kopjeve të para. Kishte kaluar ora 01.30 e pasmesnatës.
Ne kishim porositur shtatëdhjetë mije kopje, tirazhi më i madh që ishte shtypur ndonjëherë në atë shtypshkronjë, me bindjen se do të shitej i gjithi pa rënë fare në tokë. Vonë, kur s’kishim më asnjë punë për të bërë, morëm rrugën për në shtëpi duke zvarritur me këmbët e mpira dilemat e numrit të dytë. Por nuk donim të flisnim për këto dilema. S’donim të flisnim për asgjë. E dinim se ç’kishim bërë. E kishim vetëdijen si do të zgjohej, si do të befasohej e si do të lumturohej Shqipëria atë mëngjes të ftohtë janari. Unë e kisha shtëpinë në anën verilindore të qytetit, në një bllok pallatesh parafabrikate afër spitaleve. Këndonin gjelat në oborret e shtëpive private rreth e rrotull.
Tirana po jepte shenjat e zgjimit, ndërkohë që disa njerëz po krijonin në heshtje radhët proverbiale të qumështit. Në lbyrjen e pagjumë të fantazive të mia po krijoja një lidhje mes këngës së gjelave dhe një zgjimi të panjohur, një lidhje që më rrëshqiste në momentin e përftimit. Ashtu, në ushtrimin e kapjes së lidhjes së pakapshme, ngjita shkallët e pallatit, ngrita dorën të shtyp butonin e ziles dhe dera sikur u hap vetë- gruaja s’kishte fjetur gjithë natën duke më pritur. I hodha krahun në qafë dhe ashtu shkova drejt dhomës së gjumit si drejt një polumbari që po lëkundej të më kridhte në harrim.
Nuk e pashë mëngjesin e ri të Shqipërisë me gazetën e re “Rilindja demokratike”. Nuk i pashë radhët e gjata për të blerë një kopje të saj, por më thanë për to rreth orës 10.00, kur shkova në selinë e parti-redaksisë. Më thanë edhe tjetrën që Gramoz Pashko më kishte kërkuar që në mëngjes herët për kafe. Vazhdonte të ishte shumë i lumtur kur u takuam te ura e madhe e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Unë i dukesha ndryshe dhe ai më dukej mua ndryshe. Në atë lloj habie të ndërsjelltë po lindte miqësia ime me atë njeri, që dukej si gjithkush kur e kishim pranë, por që krijonte papritur një gropë të madhe mungese kur nuk ishte, kur do të ikte larg, për disa kohë, për disa muaj, për disa vjet dhe, së fundi, përjetë. Gropa e mungesës së tij sikur padiste praninë tonë: po ju, pse jeni këtu, ju?
Gjatë ditës do të merrnim lajme të tjera nga rrethet për rradhët e gazetës dhe sherret që kush e kush të merrte një kopje. E kishim shtuar edhe një radhë për popullin e radhës. Por kjo ishte një radhë e mirë. /Liberale.al
* Marrë nga “Fillimet”, botim i UET Press