Procesi i numërimit të votave të diasporës në kuadër të zgjedhjeve vijon me ritme të ndryshme në qarqet e Shqipërisë. Burime zyrtare konfirmojnë se në Parkun Olimpik është përmbyllur numërimi për subjektet politike në qarqet Berat dhe Vlorë, duke sjellë qartësi për rezultatet e diasporës në këto dy zona.
Ndërkohë, procesi i numërimit për subjektet politike vijon ende në tre qarqe të tjera: Gjirokastër, Elbasan dhe Korçë, ku pritet të përfundojë në orët në vijim.
Paralelisht, në gjashtë qarqe të tjera po vijon numërimi për kandidatët në listat e hapura. Bëhet fjalë për qarqet Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier, Lezhë dhe Dibër. Ky proces pritet të jetë më i gjatë për shkak të specifikave të numërimit për secilin kandidat individualisht.
Nga ana tjetër, në Kukës është mbyllur tërësisht procesi i numërimit, si për votat brenda vendit, ashtu edhe për ato të diasporës, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët në listat e hapura.