Përfundon në Madrid konferenca e OKB-së për klimën - Gazeta Express

Përfundon në Madrid konferenca e OKB-së për klimën

Lajme

Gazeta Express

15/12/2019 23:48

Bisedimet ndërkombëtare maratonë për klimën përfunduan të dielën në Madrid ndërsa negociatorët shtynë për vitin e ardhshëm një vendim kryesor mbi mënyrën e rregullimit të tregjeve globale të karbonit.

Pas dy javë negociatash në Madrid mbi trajtimin e ngrohjes globale, delegatët nga pothuajse 200 vende nxorën deklarata me thirrjet për shkurtime më ambicioze të gazeve që shkaktojn efektin serë dhe që po e ngrohin planetin tonë, si dhe për të ndihmuar vendet e varfëra që po vuajnë pasojat e ndryshimeve klimatike.

“Kemi investuar shumë energji në këtë drejtim dhe është shumë zhgënjyese që në fund të ditës nuk ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje përfundimtare. Por duhet të mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë diskutimet për këtë çështje shumë të rëndësishme”, u shpreh përfaqësuesi i Brazilit në Konferencën për Ndryshimet Klimatike.

Tregjet e karbonit, të cilat ekonomistët i konsiderojnë si kyçe për sigurimin e stimujve për nxitjen e botës drejt modeleve të rritjes me ndotje më të vogla nga karboni, mbetet një nga çështjet më të mprehta për të cilën u vendos të lihet për diskutime në takimin e vitit që vjen në Glasgow.

“Shpresojmë që vitin tjetër të arrihet një marrëveshje mbi tregjet e karbonit dhe ndërkombëtarizimit më të shpejtë dhe më të mirë të saj”, u shpreh përfaqësuesi i Bashkimit Evropian.

Caktimi i një çmimi mbi emetimet e dioksidit të karbonit, ndotësi kryesor që krijon efektin serë, do të bënte që tregjet të mundësonin për vendet dhe kompanitë që të tregtojnë liçensat për emetimin e karbonit që mund të reduktohen në mënyrë të qëndrueshme. Kjo do të nxiste teknologji me ndotje më të vogla për mjedisin.

Vende nga Evropa dhe gjetkë u shprehën se është më mirë pa një marrëveshje mbi rregullat e shkëmbimit të lejeve për emetimin e karbonit, sesa një marrëveshje e dobët që mund të dëmtojë disa mekanizma ekzistues rajonal për ndotjen.