Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur sot lirimin nga detyra të drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, për shkak të përfundimit të mandatit të saj 5-vjeçar.
Vendimi u mor pas një votimi të ndarë në mbledhjen e KLP-së, ku 6 anëtarë votuan pro përfundimit të mandatit më 31 gusht, ndërsa 4 të tjerë mbajtën qëndrimin se mandati i Hajnajt përfundon në shtator.
Raportohet se Erjon Fejzulla, Arta Mandro, Zeqir Hoda, Ledina Rizaj, Mirela Bogdani dhe Vat Staka ishin anëtarët që votuan se mandati ka përfunduar më 31 gusht. Në krahun tjetër, Erind Mërkuri, Sokol Stojani, Olger Eminaj dhe Erind Gërmenji argumentuan se data e përfundimit të mandatit është në shtator, duke u shprehur kundër vendimit të menjëhershëm për lirimin e saj.
Sipas ligjit, mandati i drejtuesit të BKH-së është 5-vjeçar, duke u llogaritur nga momenti i emërimit në detyrë. Aida Hajnaj ishte emëruar në krye të BKH-së në gusht të vitit 2020, çka për shumicën e anëtarëve të KLP-së përbën fundin e mandatit më 31 gusht 2025.