Në deklarata për gazetarët në Kombet e Bashkuara, Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit në OKB, Danny Danon, tha se “operacioni i përbashkët SHBA–Izrael kundër regjimit iranian vazhdon”, duke theksuar se të dy vendet veprojnë “me forcë, koordinim dhe vendosmëri”.
Ai falenderoi presidentin Trump dhe kryeministrin Netanyahu për udhëheqjen e qëndrueshme dhe qartësinë morale në këtë moment kritik, duke shtuar se “objektivat tona janë të qarta: jo armë bërthamore, jo kërcënim me raketa balistike, shkatërrimi i flotës detare dhe goditja e rrjetit të përfaqësuesve të regjimit”.
Danon theksoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po godasin “me vendosmëri, në mënyrë kirurgjikale, pa kërkuar falje”, ndërsa akuzoi Teheranin se “po reagon në mënyrë të çrregullt nga dëshpërimi”.
Ai theksoi se janë lëshuar raketa kundër Izraelit, por edhe ndaj vendeve të rajonit dhe madje edhe në territor evropian, në Qipro, duke shtuar se kjo nuk është strategji. “Është panik. Është dëshpërim”, tha ai.
Duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë, ai deklaroi: “Ne synojmë infrastrukturë ushtarake, ata synojnë familje”, duke shtuar se regjimi “terrorzon popullin e vet, na terrorizon ne dhe tani përpiqet të terrorizojë rajonin dhe botën”.
Megjithë humbjet, ai theksoi se “nuk do të ndalemi derisa të arrijmë objektivat tona”.
Duke paralajmëruar për rrezikun e një Irani të pajisur me armë bërthamore, ai shtoi: “Kjo nuk është një rrezik që e tolerojmë. Është një realitet që nuk do ta lejojmë. Për këtë arsye operacioni i përbashkët ishte i domosdoshëm”.
Duke iu referuar kritikave brenda OKB-së, ai tha se fotografia e publikuar nga zyrtarë të organizatës është realizuar në fund të janarit dhe paraqiste civilë “të vrarë nga vetë regjimi iranian”.
Ai përsëriti se “do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe kufijtë tanë”.
Në përgjigje të pyetjeve, ai ritheksoi se “një nga objektivat e operacionit të përbashkët është të sigurojmë që ata të mos kenë kapacitete bërthamore për të kërcënuar mbarë botën”, duke shtuar se “do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta garantuar këtë”.
Sa i përket kohëzgjatjes së operacionit, ai tha se do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme, duke pranuar se “nuk është e lehtë për njerëzit në Izrael që kanë qëndruar në strehimore për shumë ditë” dhe se “sakrifica juaj do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivin e operacionit”.
Duke iu drejtuar izraelitëve që ndodhen nën alarm të vazhdueshëm, ai u bëri thirrje të qëndrojnë të fortë.
“Nuk do të zgjasë përgjithmonë. Po bëni një sakrificë, por për të ardhmen e Izraelit duhet ta bëjmë këtë”, tha ai, duke shtuar se “nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe kryeministrit Netanyahu, më në fund po ndërmarrim veprime dhe se bota do të jetë më e mirë, i gjithë rajoni, e gjithë bota”.
Lidhur me të ardhmen e udhëheqjes në Iran, ai shprehu shpresën për ndryshim, duke deklaruar se “shpresojmë të ketë një udhëheqje të re. Populli iranian meriton një udhëheqje më të mirë. Lutemi për lirinë tuaj dhe besoj se ajo do të vijë më shpejt nga sa mendohet”.
Në fund, duke komentuar raportimet për një goditje ndaj një shkolle në Iran, ai tha se “na vjen keq për humbjen e jetës së çdo civili. Ka informacione që nuk i kam përpara, sipas të cilave Garda Revolucionare ka goditur shkollën. Ne synojmë objektiva ushtarake. Këtë bëjmë. Iranianët bëjnë pikërisht të kundërtën.” /Panorama