Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka folur për trajnerin e ri, Xabi Alonso gjatë prezantimit të përforcimit të fundit, Alvaro Carreras.
Kreu i klubit madrilen ka thënë se “Los Blancos” e kanë zgjedhur njërin prej trajnerëve më të mirë në botë me të cilin do të vazhdojnë të fitojnë trofe, shkruan “Gazeta Express”.
“Për sezonin e ardhshëm kemi angazhuar lojtarë si Alexander-Arnold, Huijsen e Mastantuono, përpos një trajneri si Xabi Alonso, njëri prej më të mirëve në botë. Sot do ta prezantojmë një tjetër lojtar të madh: i themi mirë se erdhe Alvaro Carreras”, deklaroi Perez.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë që t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët e Real Madridit. Jemi duke e shijuar njërin prej cikleve më të suksesshme në historinë tonë dhe duam ta vazhdojmë këtë rrugë derisa tifozët tanë të mund të vazhdojnë të ëndërrojnë arritje të mëdha”, shtoi kreu i klubit madrilen.
Reali e kaloi një sezon dëshpërues me trajnerin Carlo Ancelotti, i cili u largua në fund të edicionit që shkoi për t’u bë selektor i ri i Brazilit.
Tash, “Merengues” synojnë ta kenë një sezon të suksesshëm me trajnerin e ri, Xabi Alonso, i cili u tregua jashtëzakonisht i suksesshëm në Bayer Leverkusen. /Gazeta Express