Përdorimi i marihuanës mund të shkaktojë psikozë - Gazeta Express
string(48) "perdorimi-i-marihuanes-mund-te-shkaktoje-psikoze"

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 11:05

Përdorimi i marihuanës mund të shkaktojë psikozë

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 11:05

Ky artikull diskuton mënyrat se si marihuana lidhet me rrezikun e zhvillimit të psikozës. Ai gjithashtu shpjegon disa nga trajtimet për psikozën e shkaktuar nga marihuana.

Psikoza është një shkëputje nga realiteti. Kur njerëzit përjetojnë psikozë, ata mund të kenë simptoma të tilla si deluzione, halucinacione dhe të menduarit të çrregullt. Është një çrregullim që përfshin një sërë gjendjesh të shëndetit mendor dhe mund të ketë një mori shkaqesh, duke përfshirë edhe përdorimin e marihuanës.

Një shumëllojshmëri substancash dhe ilaçesh mund të shkaktojnë një gjendje të njohur si çrregullim psikotik i shkaktuar nga ilaçet. Pas marrjes së një droge ose ilaçi, disa njerëz mund të përjetojnë psikozë brenda një muaji nga përdorimi i substancës, apo në rastet kur ‘tërhiqen’ nga droga.

Substanca dhe medikamente të tjera që mund të shkaktojnë psikozë përfshijnë alkoolin, halucinogjenët, qetësuesit, stimuluesit, amfetaminat, ilaçet kundër depresionit dhe steroidet.

Hulumtimet tregojnë se njerëzit që kanë një çrregullim të shëndetit mendor që ndodh së bashku me një çrregullim të përdorimit të substancave janë në një rrezik më të lartë të zhvillimit të psikozës së lidhur me përdorimin e ilaçeve.

Kjo lë të kuptohet që substanca të tilla si marihuana mund të shkaktojnë fillimin e një episodi psikotik tek njerëzit që kanë një rrezik të predispozuar për psikozë.

Përdorimi i marihuanës është i lidhur gjithashtu me një rrezik në nivel të lartë për zhvillimin e një sërë gjendjesh psikiatrike, duke përfshirë skizofreninë, ankthin dhe depresionin.

Megjithatë, studiuesit ende nuk janë të sigurt nëse marihuana mund të shkaktojë skizofreninë ose çrregullimin bipolar tek individët e shëndetshëm. Gjithsesi, përdorimi i marihuanës mund të shkaktojë shfaqjen e këtyre çrregullimeve te njerëzit me predispozicion për to.

Edhe pse mekanizmat themelorë nuk janë kuptuar përfundimisht, kanabisi është një faktor i njohur ndikues në rrezikun për shfaqjen e skizofrenisë.

Studimet kanë zbuluar se përdorimi i kanabisit është i përfshirë në 50% të rasteve të skizofrenisë, psikozës dhe psikozës skizofreniforme.

Simptomat e psikozës
Kur njerëzit përjetojnë psikozë si rezultat i përdorimit të marihuanës, ata mund të përjetojnë një sërë simptomash të ndryshme që lidhen me një shkëputje nga realiteti. Simptomat e psikozës së shkaktuar nga marihuana përfshijnë:

Halucinacione: Këto karakterizohen nga përvoja shqisore që nuk janë reale, duke përfshirë shikimin, dëgjimin ose ndjenjën e gjërave që nuk ekzistojnë në realitet.

Paranoja: Ky është një lloj të menduari që i bën njerëzit të ndihen dyshues dhe mosbesues ndaj njerëzve të tjerë.

Ndjenja të të qenit i persekutuar: Ky është një aspekt i paranojës në të cilën njerëzit besojnë se njerëzit e tjerë po përpiqen t’i dëmtojnë ose sabotojnë.

Depersonalizimi: Kjo ndodh kur një person ndihet i shkëputur nga mendimet, identiteti, ndjenjat, emocionet dhe kujtimet e veta.

Derealizëm: Kjo simptomë karakterizohet nga ndjenja e ndarjes nga mjedisi dhe ndjenja se gjërat nuk po ndodhin në kohë reale.

Madhështi: Kjo përfshin të kesh një ndjenjë të ekzagjeruar fuqie dhe rëndësie. Njerëzit që përjetojnë madhështi mund të mendojnë se janë superiorë ndaj të tjerëve ose të paprekshëm ndaj dëmtimit.

Njerëzit gjithashtu mund të përjetojnë simptoma të tjera gjatë një episodi psikotik, duke përfshirë nervozizëm, ankth ose mendime të nxituara. Kur psikoza shkaktohet nga përdorimi i një substance të tillë si marihuana, këto simptoma janë akute dhe jo të vazhdueshme. Ato zakonisht ‘zhduken’ sapo substanca të ketë ‘ikur’ nga trupi.

Faktorët ndikues
Ka një sërë faktorësh që mund ta bëjnë një person më të prirur të përjetojë psikozë pas përdorimit të marihuanës, të tilla si:

Përdorimi i një sasia të madhe të marihuanës
Përdorimi kronik i saj
Mosha
Cenueshmëria ekzistuese ndaj psikozës

Përdorimi gjatë adoleshencës
Adoleshentët që përdorin marihuanë kanë një rrezik më të lartë për të përjetuar psikozë. Disa studiues kanë sugjeruar se kjo mund të jetë për shkak të sfidave emocionale që ndonjëherë kontribuojnë në përdorimin e marihuanës.

Përdorimi i rregullt i marihuanës nga adoleshentët mund të ndikojë gjithashtu në tru në mënyra të ndryshme dhe mund të ndikojë në njohjen, të mësuarit dhe zhvillimin.

Variacionet e gjeneve
Hulumtimet kanë zbuluar se njerëzit që përdorin marihuanë dhe kanë një variacion të caktuar të gjenit AKT1, i cili është përgjegjës për kodimin e një enzime që ndikon në sinjalizimin e dopaminës në një rajon specifik të trurit të quajtur striatum, janë në një rrezik më të madh për të përjetuar psikozë.

Studimet kanë gjetur gjithashtu se një variant tjetër gjenik të enzimës katekol-O-metiltransferazë (COMT) mund të luajë një rol në rritjen e rrezikut të zhvillimit të psikozës tek të rriturit që kanë përdorur mariuhanën kur ishin adoleshentë. COMT është i përfshirë në inaktivizimin e neurotransmetuesve si dopamina dhe norepinefrina.

Trajtimi
Njerëzit që kanë një episod akut psikotik mund të kenë nevojë të shtrohen në spital derisa gjendja e tyre të stabilizohet. Trajtimi për psikozën e lidhur me përdorimin e marihuanës përfshin mjekim antipsikotik.

Në disa raste, përdorimi i antipsikotikëve qetësues ose benzodiazepinave mund të jetë i nevojshëm për të menaxhuar disa sjellje.

Pasi të jenë adresuar simptomat e menjëhershme, individi do të vlerësohet më tej për të përcaktuar shkakun e psikozës dhe për të diagnostikuar çdo gjendje tjetër që mund të shkaktojë simptoma.

Në varësi të shkakut të psikozës, një mjek ose profesionist i shëndetit mendor mund të rekomandojë trajtime shtesë duke përfshirë medikamente antipsikotike, ilaçet kundër depresionit, psikoterapi dhe modifikime të stilit të jetesës.

Megjithatë, opsioni më efektiv i trajtimit për psikozën e shkaktuar nga marihuana është ndërprerja e përdorimit të drogës; edhe pse kjo mund të jetë e vështirë për njerëzit që kanë përdorur marihuanë për një kohë të gjatë ose që ‘vuajnë’ nga një çrregullim të përdorimit të kanabisit.

Shkruar nga: Kendra Cherry, Verywellmind
Përkthyer nga: Shkendije Berisha /GazetaExpress/



Lexo Edhe: