Sot gjatë ditës në sheshin e Prishtinës, një qytetar nga Tirana e ka përdhosur flamurin e Kosovës duke shkelur me këmbë mbi të. Për të njëjtin, më vonë, policia ka bërë të ditur se e ka shoqëruar në stacion dhe se i njëjti është intervistuar.
Lidhur me këtë rast ka reaguar njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi. Ky i fundit ka theksuar se rastet e fundit si ky i sotmi, apo edhe ai i para disa ditëve i vandalizimit të statujave të Skënderbeut, bëjnë që ‘‘mendja detyrimisht të shkon te aktorë të jashtëm që shfrytëzojnë budallë të brendshëm, qoftë për t’i prodhuar këto incidente, apo për t’i zmadhuar ato përmes shpërndarjes dhe reagimeve përçarëse’’.
Në reagimin e tij, Maliqi ka folur për ‘’masat aktive’’, ose ‘’ operacionet e subversionit politik’’’, të cilat janë mjeshtri e vjetër e KGB, e ku për zbatimin e tyre, përdoren si instrument lëvizjet autentike politike, e ku të cilat stimulohen të ndërmarrin veprime provokuese, që e trazojnë mjedisin informativ.
Këtu, Maliqi ka përmendur rastin e Nikolla Xhufka nga Elbasani i cili thirret si ‘’peshkop’’, e që veprimtaria e të cilit përdoret për të nxitur tensione ndëretnike dhe për ta paraqitur Kosovën si shtypëse të drejtave të serbëve.
Postimi:
MASAT AKTIVE – MJET I LUFTËS PSIKOLOGJIKE PËR THELLIMIN E PËRÇARJEVE MES KOSOVËS DHE SHQIPËRISË
Para dy vitesh, Suedia ishte pranë anëtarësimit në NATO, por po e priste votën vendimtare prej Turqisë, e cila i kishte vënë disa kushte në lidhje me Gylenistët. Në protestat para ambasadës turke një sharlatan danez i ekstremit të djathtë e dogji Kuranin, gjë që u bë lajm ndërkombëtar dhe i acaroi edhe më tej marrëdhëniet Turqi-Suedi, duke e vonuar edhe votën për NATO. Rusia natyrisht se festoi për disa muaj. Do ti që më vonë u zbulua se ky ekstremisti i djathtë danez që e dogji Kuranin dhe i futi në sherr Suedinë me Turqinë ishte i financuar nga Rusia.
“Masat aktive”, apo operacionet e subversionit politik, janë një mjeshtri e vjetër e KGB dhe e trashëgimtarëve / partnerëve të saj. Për zbatimin e masave aktive zakonisht përdoren si instrument lëvizjet autentike politike apo aktiviste (kryesisht ekstremiste të djathta, të majta apo fetare) të cilat stimulohen të ndërmarrin veprime provokuese, apo të shërbejnë “informata” që e trazojnë mjedisin informativ drejt synimeve politike – përçarjeve, tensioneve – duke e mundësuar njëkohësisht fshehjen e dorës së autorit origjinal. Rekomandim për lexim – Thomas Ryd: “Active Measures: The Secret History of Disinformation and Political Warfare.”
Duke i parë kohëve të fundit disa incidente të çuditshme virale si këto të përdhosjeve të flamujve kombëtarë apo të Kosovës, apo vandalizimet e statujave të Skenderbeut, mendja detyrimisht të shkon te aktorë të jashtëm që shfrytëzojnë budallë të brendshëm, qoftë për t’i prodhuar këto incidente, apo për t’i zmadhuar ato përmes shpërndarjes dhe reagimeve përçarëse (rënies në grep), siç ishte psh rasti sot me Metropolitankat tona të ndjeshme.
Kapaciteti ynë shoqëror dhe institucioal për t’i identifikuar masat aktive, si dhe vetëdija për t’iu rezistuar tundimeve përçarëse të tyre, mbetet e ulët. Qe psh. ky “Peshkopi” Nikolla Xhufka nga Elbasani – veprimtaria e të cilit po përdoret për të nxitur tensione ndëretnike dhe për ta paraqitur Kosovën si shtypëse të drejtave të serbëve – po vazhdon me u sillë e me u pritë në Kosovë si prift i vërtetë ortodoks, edhepse është thjesht një Mickey Mouse.
Urime për fituesit e tretë – Fitore Ismajli dhe Qemal Gjana! GO+ po vazhdon të shpërblejë më të guximshmit!...