Shkruan: Isa Zymberi
Zgjedhjet e fundit në SHBA do të mbahen mend për shumëçka, sidomos për rrëzimin e parashikimeve që vijnë nga sondazhet, nga analistët politikë dhe opinionbërësit.
Këto i kemi të pranishme edhe në Kosovë. Madje, në përpjestim me numrin e banorëve në vendin tonë të vogël, këto janë të tepruara. Kudo vërehen qartë rreshtimet e gazetave, të portaleve të ndryshme online, të televizioneve me analistët e tyre, pra, të mediave në përgjithësi, të cilat nuk janë dhe pa ndikim në ambientin tonë politik.
Parashikimet e ngutshme është mirë të evitohen sepse mund të jenë zhgënjyese.
Nuk jemi politikisht të arsimuar në nivelin e duhur ku të mbizotërojnë meritat e vërteta politike. Parimet tona janë të përziera dhe shumë herë nuk ua vëjmë veshin të këqijave dhe i lëmë anash kualitetet me një lehtësi të çuditshme.
Profilizimet politike janë të ndërlikuara kudo në botë. Partitë politike kudo kanë ngritje dhe rënie. Ato duhet t’u përshtaten rrethanave, të ecin me kohën, përndryshe rrezikojnë të shuhen.
Përkrahësit e cilësdo parti, ndërkaq, duhet ta analizojnë, qoftë dhe me minimumin e objektivitetit, partinë politike të cilës i besojnë dhe janë të gatshëm t’ia lënë në dorë gjërat që janë aq të rëndësishme për fatin e të gjithëve.
Partitë politike në sistemin shumëpartiak janë në luftë të përhershme mes tyre, qoftë parimore, qoftë krejt joparimore. Lufta parimore është e shëndetshme, por joparimorja ngërthen në vetvete pafundësisht intriga të tmerrshme, deri dhe të rrezikshme.
Partitë e ndryshme politike, kohë pas kohe, prodhojnë liderë të jashtëzakonshëm, të papërsëritshëm, të tillë që do t’i japin vulën epokës së vet, ndonjëherë edhe për të keq. Kur largohen, kur vdesin, ose kur bien nga pushteti, liderët e mirë lënë zbrazëtirë që nuk mund të plotësohet shpejt nga liderët pasues. Zakonisht, partive të tyre iu duhet një periudhë kohore prej një deri në dy dekada për ta rimarrë vetën plotësisht. (Kini parasysh situatën e Britanisë së Madhe pas Margaret Thaçer nga Partia Konzervative, ose pas Toni Bler nga Partia Laburiste.)
Pikërisht këtë rrugë e ka përshkuar LDK-ja në Kosovë. Lideri i saj, Rugova, në vitet 1990 kishte karakteristikat e domosdoshme për të evituar masakrat si ato në Bosnjë (në Kosovë këto masakra do të ishin shumë më të tmerrshme, sepse në listën e urrejtjes serbe shqiptarët atëherë ishin në vendin e parë, siç janë edhe sot). Dhe nuk është që LDK-ja nuk ka pësuar në atë kohë.
Politika e durimit ndonjëherë ia kalon asaj të trimërisë, sidomos të ngutshmes.
Fillimisht, pothuaj e gjithë Kosova ishte LDK. Më vonë pati ndonjë shkëputje, apo filluan të dalin dhe parti të tjera politike, që bashkë me LDK-në kryesisht përbënin një front të palëkundur ndaj dhunës serbe të të gjitha llojeve.
Megjithatë, LDK-ja ishte e para në këtë front dhe të gjitha vështirësitë me të cilat është përballur i ka tejkaluar me sjellje të matura, të kujdesshme, gjithnjë duke pasur parasysh ruajtjen e njerëzve, por edhe të raporteve midis tyre. Mbështetjen kryesore e kërkonte pa pushuar te bota demokratike perëndimore, ku e kishte dhe diasporën, ndër më të mirat në botë, që nuk është kursyer asnjëherë dhe i ka dhënë Kosovës ndihmë të pallogaritshme, shumëdimensionale, e cila mund të ketë qenë edhe më vendimtare për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Lufta në Kosovë filloi atëherë kur Millosheviqi pothuaj kishte mbaruar punë me pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, dhe kjo koincidoi edhe me kohën kur rezistencës paqësore i kishte ardhur fundi. Para shpërthimit të luftës, kishin dalë shenjat e para të themelimit të UÇK-së, që, natyrisht, shpejt u përafrua me udhëheqjen shqiptare në Shqipëri, e cila ndodhi të ishte me orientim të majtë. Në këtë kohë doli dhe FARK-u, një organizim i hershëm ushtarak që pas një reduktimi të aktivitetit të nisur në fillim të viteve ’90, tani kishte arritur një nivel shumë të mirë organizimi të mirëfilltë. Fillimisht u krijua një drojë, dhe kishte shenja, se do të përsëritej situata e krijuar në Shqipëri gjatë Lyftës së Dytë Botërore, ku partizanët diktoheshin nga emisarët e partisë komuniste jugosllave, edhe pse tani këtë rol do ta luanin institucionet shqiptare. Sjellja e FARK-ut, që kryesisht kishte dalë nga LDK-ja, me pjekuri e evitoi këtë situatë madje duke e dëmtuar vetën e saj. Megjithatë, fara e mbjellë, e tipit të luftës ’39-’45 në Shqipëri, nuk u zhduk tërësisht dhe kjo u manifestua me shumë vrasje nga radhët e mbështetësve të LDK-së edhe pas luftës. Edhe këtë situatë LDK-ja e kaloi me urtësi duke evituar hakmarrjet që nuk do të kishin të ndalur. Pra, LDK-ja vazhdoi sakrificën edhe pas luftës vetëm për arritjen e qëllimit më madhor – arritjen e pavarësisë, e cila vazhdon të jetë e brishtë dhe fatkeqësisht mund të rrezikohet edhe tani.
Situata e vrasjeve të ndërsjella, definitivisht, do ta pamundësonte pavarësinë.
Rugova nuk ishte i gatshëm ta pranonte një situatë të tillë. Ai u jepte përparësi punëve madhore.
Pas shkuarjes së Rugovës në amshim, LDK-ja pati probleme të tmerrshme të brendshme. Fillimisht u nda më dysh, kaloi nëpër dy liderë, që nuk ia dolën ta këndellnin, përkundrazi e zbritën në nivelin e një partie të parëndësishme.
Me liderin aktual, ka shenja se LDK-ja e ka marrë vetën, dhe kjo ka ndodhur në kohën më të duhur të pasluftës. Fryma tradicionale e LDK-së është e pazëvendësueshme në këtë periudhë jashtëzakonisht delikate të përmbysjeve të mundshme të mëdha, që kanë mundësi të ndodhin globalisht. Në këtë kohë, në vend të politikës së konfrontimeve, Kosovës së vogël me probleme të mëdha, i nevojitet urtësia e tipit rugovian.
Shtresa të ndryshme të shoqërisë, dhe kjo ka ndodhur edhe në shoqëri shumë të avancuara, shpesh mund të devijojnë dhe të mashtrohen lehtë, madje të kalojnë dhe në një gjendje transi. Shqiptarët e të gjitha shtresave, nga ata më të ngriturit e më të shkolluarit, e deri tek ata pa asnjë ditë shkollë, gjithmonë i kanë dhënë rëndësi mençurisë, qoftë dhe duke e kultivuar atë në oda kur nuk kanë pasur shkolla. Tani është koha kur secili individ duhet ta peshojë mirë vetën dhe partinë politike të cilës ka vendosur t’i besojë.
Me vetitë e saj, LDK-ja, sipas çdo analize serioze, del partia më e pastër jo vetëm në Kosovë, por dhe në hapësirën gjithëshqiptare. Rrugëtimin e saj, gjthmonë e ka karakterizuar durimi dhe urtësia në kuptimin e mençurisë. Edhe në situata kur vota ka dhënë një verdikt që ka imponuar koalicione të ndryshme, LDK-ja është përpjekur të ofrojë rolin e saj konstruktiv.
Tani është koha të dëshmohet thënia: I DURUARI, I FITUARI. Me LDK-në mund të fitojnë të gjithë.
Është koha kur do marrë kthesa e duhur. Kjo kthesë është djathtas. Dhe duhet të mos jetë as pak djathtas, as gjysmë djathtas, por plotësisht djathtas.
Para përfundimit të kësaj ftese për mejtim, ja një fjalë e mençur: odave këtyne herë citohej një thënie e Ramadan Shabanit, prej një familjeje n’zâ nga pika më qendrore e Kosovës, i cili, kur i kishte lindur një djalë, dhe i kishin thënë, ‘Ishalla t’get ty’, ishte përgjigjur, ‘Ishalla i get kohës’.
Kjo kohë, në këtë moment, i përket të djathtës për arsye që s’kanë nevojë të arsyetohen.
Ia vlen t’i ngjajmë kohës.
Vota majtas mund të rezultojë shkatërrimtare për Kosovën. Vota për partitë që s’janë as majtas as djathtas si dhe për partiçkat e vogla që shumëkush nuk ua mba mend mirë emrin, është humbje vote. Kësaj radhe është me rëndësi të zgjohen edhe ata që, qoftë nga pakënaqësia apo për ndonjë arsye tjetër, nuk kanë votuar, të dalin dhe ta çojnë votën aty ku u fle zemra, sidomos aty ku duhet në këtë moment.
Politika nuk është lojë fëmijësh.
Ata që votojnë për LDK-në nuk do t’i vrasë ndërgjegja asnjëherë. Kaq mund t’ju them kësaj radhe.
Autori Isa Zymberi është ish- shef i Zyrës së Kosovës në Londër gjatë viteve 90’të