Përballë presioneve dhe kërcënimeve nga pushteti i Vuçiq– televizioni serb i drejtohet BE-së për mbrojtje - Gazeta Express
string(104) "perballe-presioneve-dhe-kercenimeve-nga-pushteti-i-vuciq-televizioni-serb-i-drejtohet-be-se-per-mbrojtje"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 12:50

Përballë presioneve dhe kërcënimeve nga pushteti i Vuçiq– televizioni serb i drejtohet BE-së për mbrojtje

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 12:50

Zëdhënësja e presidente së Komisionit Evropian, Paola Pinjo, deklaroi se Bashkimi Evropian pret nga Serbia respektim të plotë të lirisë së mediave. Kjo deklaratë u dha gjatë një konference zyrtare të Komisionit, si reagim ndaj pyetjes së televizionit N1 në lidhje me një letër që ky medium i ka dërguar institucioneve të BE-së për shkak të përshkallëzimit të kërcënimeve ndaj gazetarëve të tij.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersije, konfirmoi se letra është pranuar dhe se një përgjigje do të jepet në një afat të arsyeshëm. Ai shprehu shqetësimin e BE-së për presionet dhe sulmet në rritje ndaj gazetarëve, sidomos në kontekstin e protestave studentore dhe qytetare në Serbi.

“Presim nga autoritetet kompetente që të reagojnë menjëherë ndaj këtij dhe rasteve të tjera të sulmeve ndaj gazetarëve, dhe të sigurojnë përfundime gjyqësore efektive në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë,” tha Mersije.

Ai kujtoi se liria e mediave është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike dhe një e drejtë fundamentale në BE, si dhe një kriter kyç i kapitullit 23 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Sipas tij, Serbia është e obliguar të krijojë një mjedis të sigurt dhe nxitës për punën e gazetarëve dhe për lirinë e shprehjes.

“Është thelbësore që gazetarët të mund të ushtrojnë punën e tyre pa kërcënime, dhunë, ngacmime apo frikësime, që qytetarët të kenë qasje në të gjitha informacionet,” shtoi ai.

Zëdhënësi i KE-së u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të ndalojnë me sulmet verbale ndaj gazetarëve.

“Presim që zyrtarët e lartë të përmbahen nga sulmet verbale dhe kërcënimet kundër gazetarëve,” theksoi Mersije në përgjigje ndaj pyetjes së N1.

Redaksia e N1 në Serbi i është drejtuar me një letër zyrtarëve dhe institucioneve më të larta evropiane, ku paralajmëroi për një fushatë serioze dhe të koordinuar presionesh dhe kërcënimesh ndaj gazetarëve të saj, ndërkohë që institucionet kompetente nuk kanë reaguar.

Në letër thuhet se sulmet janë përshkallëzuar pas raportimeve për protestat qytetare dhe se presidenti Vuçiq, së bashku me mediat proqeveritare, po udhëheqin fushatën e etiketimit të redaksisë, duke e quajtur televizionin N1 si “media terroriste”.

Redaksia u bën thirrje institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për reagim urgjent dhe të vendosur për të mbrojtur lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.