Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të caktuara për 12 tetor, brenda komunitetit serb po shtohen zërat që kërkojnë bashkim dhe krijim të një platforme të përbashkët veprimi.
Nisma për formimin e një lëvizjeje më të gjerë popullore, e cila, siç thuhet, do t’u kundërvihej politikave aktuale në Prishtinë dhe Beograd, vjen nga radhët e aktorëve opozitarë, që janë të pakënaqur me pozitën e serbëve në Kosovë.
Kreu i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, thotë se ka ardhur koha që lufta politike të zhvillohet në mënyrë të qartë, pa ndarje, frikë apo kalkulime partiake.
Ndërsa, Stefan Velkoviq, nga Partia Demokracia Serbe, thotë se thirrjet e tyre për veprime konkrete në terren, prej kohësh injorohen.
Ai nuk e përjashton bashkëpunimin me të tjerët, përveç me zyrtarët e lartë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka përkrahje nga Beogradi.
Politologu serb, Ognjen Gogiq, vlerëson se tek aktorët opozitarë serbë, nuk ka ende vetëdije të pjekur për bashkim, dhe se Lista Serbe nuk do të rrezikohet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, ka nisur procesin e aplikimeve për certifikimin e partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale, i cili do të zgjasë deri më 13 gusht.
Javën e kaluar, udhëheqësi i Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac, u bëri thirrje aktorëve politikë, studentëve, përfaqësuesve të shoqatave dhe organizatave, bizneseve dhe intelektualëve që ta mbështesin, të tregojnë pjekuri dhe guxim për veprim të përbashkët.
Megjithatë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se kjo ftesë nuk vlen për përfaqësuesit e Listës Serbe ose Nenad Rashiqin – ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Ne mendojmë se kjo politikë që ka ndjekur Lista Serbe, por edhe [Nenad] Rashiq, i cili është pjesë e institucioneve në Prishtinë, nuk është e mirë për popullin tonë. Me ta nuk ka hapësirë për dialog. Ata kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes në terren”, vlerëson Bishevac.
Ai kritikon Beogradin që, siç thotë, për vite me radhë ka mbështetur vetëm Listën Serbe, e cila, sipas tij, ka qenë e përfshirë në skandale dhe nuk ka sjellë asnjë të mirë për serbët në Kosovë.
Për institucionet në Prishtinë, Bishevac thotë se ato nuk interesohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, nuk duan dialog dhe zgjidhje paqësore, por se me veprimet e tyre, “nxisin nacionalizmin” dhe përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.
Partia Demokracia Serbe i ftoi, gjithashtu, qytetarët, aktorët shoqërorë dhe politikë, si dhe palët e tjera të interesuara që t’i bashkohen në “vazhdimin e luftës”.
Nënkryetari i kësaj partie, Stefan Velkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë vitit të fundit, ata i kanë ftuar aktorët opozitarë për bashkim “kundër represionit” të autoriteteve të Kosovës, por se nuk kanë gjetur mirëkuptim.
“Tani nuk shohim hapësirë për ndonjë bashkëpunim të madh, sepse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur, dhe ne kemi fituar më shumë vota si parti opozitare serbe. Ndaj, duhet të orientohemi te kush është shtylla kryesore e bashkimit”, thotë Velkoviq, duke shtuar se opozitarët “duhet të dëshmohen”.
Velkoviq thotë, gjithashtu, se anëtarët e Partisë Demokracia Serbe janë arrestuar disa herë.
Ai thotë se udhëheqësi i tyre, Aleksandar Arsenijeviq, po “persekutohet” dhe se askush nuk ka reaguar.
Arsenijeviq nuk gjendet në Kosovë, pasi është në kërkim, sepse në pronën e tij janë gjetur armë, për të cilat ai vetë ka thënë se “janë kurdisur”.
Më parë, Arsenijeviq dhe disa anëtarë të tjerë të partisë së tij janë arrestuar për “shqetësime” ose “shkelje të rendit publik” – kryesisht kur kanë protestuar kundër politikanëve shqiptarë të Kosovës që kanë vizituar pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Politikologu Ognjen Gogiq thotë për Radion Evropa e Lirë se serbët në Kosovë gjenden midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si dhe midis dy sistemeve, dhe është e vështirë për ta që të qëndrojnë jashtë këtij ndikimi.
“Reale është, por në praktikë është e vështirë”, vlerëson ai.
Ai shton se në komunitetin serb të Kosovës, nuk ka shumë aktorë opozitarë, dhe se me shumë mundësi pozitat e kryetarëve në dhjetë komunat me shumicë serbe do t’i takojnë sërish Listës Serbe.
“Nëse nga njëra anë keni Listën Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, dhe nga ana tjetër është Rashiqi, i cili është i lidhur me Prishtinën, nuk mendoj se ka një rrugë të tretë për serbët. Nëse ka bashkim, do të jetë për arsye pragmatike, që të shpaguhet politikisht”, thotë Gogiq.
Sipas tij, mundësitë për bashkëpunim të opozitës serbe janë të vogla, edhe për faktin se në zgjedhjet lokale është më e lehtë të fitohen mandatet e këshilltarëve në kuvendet komunale.
Megjithatë, Gogiq thekson se zgjedhjet lokale të tetorit janë të rëndësishme për komunitetin serb në veri të Kosovës, sepse përfaqësuesit serbë do të rikthehen në kuadrin institucional, që e kanë braktisur në nëntor të vitit 2022 me iniciativë të Listës Serbe.